Shqipëri: Diaspora me zyre të dedikuara në çdo bashki


loading...

E Hënë, 1 Qershor 2020 – 16:40
albinfo.ch

Foto ilustrim

Ministri i Shtetit për Diasporën, së bashku me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shoqatën për Autonominë Vendore kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi për bashkërendimin e punës me qëllim ngritjen e strukturës administrative afër bashkive, për Diasporën dhe migracionin.

Organizimi i strukturës administrative për Diasporën dhe migracionin në njësitë e qeverisjes vendore do të kryhet sipas vlerësimit të numrit të banorëve të tyre, në nivel drejtorie, sektori dhe zyre.

Krijimi i këtyre strukturave synon mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm dhe forcimin e marrëdhënieve me anëtarët e Diasporës shqiptare, të cilët kanë vendlindjen ose origjinën nga territori që ato mbulojnë, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch

Ministri i Shtetit për Diasporën me anë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës siguron pjesëmarrjen e përfaqësuesve të strukturave administrative për diasporën dhe migracionin të bashkive në forumet apo strukturat konsultuese referuar çështjeve të diasporës; koordinimin e partneritetit ndërmjet institucioneve të qeverisjes vendore dhe organizatave/komuniteteve të diasporës në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm vendor, edukimin e të rinjve dhe promovimin e vlerat historike dhe kulturore lokale; informimin e përfaqësuesit të strukturave në bashki mbi asistencën e donatorëve, thirrjet për projekt – propozime; dhënien e informacionit për legjislacionin shqiptar në fushën e investimeve; koordinimin për trajnimin e personelit të strukturës administrative në çdo bashki; dhe asistimin në përcaktimin e aktiviteteve vjetore nga bashkitë e vendit.

 



loading...