Shqipëri, një vit pas tërmetit, në fokus rindërtimi

loading...


Shqipëria kujtoi sot një vjetorin e tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit, i cili shkaktoi 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur, ndërsa la pas mijëra godina, pallate dhe banesa private banimi, të dëmtuara. ndërsa qeveria shprehet e entuziaste me ecurinë e rindërtimit, opozita flet për një proces abuziv dhe më tepër propagandistik sipas saj.

Tërmeti I 26 Nëntorit të vitit të kaluar ishte nga ato ndodhi që tronditën thellë vendin, jo vetëm për numrin e lartë të viktimave dhe të të plagosurve, por dhe pasojat e rënda që la, me mijëra njerëz të mbetur pa një strehë, dhe shenjat e rrënimit në disa qytete të vendit.

Sot parlamenti mbajti një minutë heshtje në nder të viktimave. Kryetari Gramoz Ruci, tha se inkurajon qeverinë “për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia. Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet”.

Kryeministri Edi Rama ndodhej sot në Emiratet e Bashkuara ku u firmos marrëveshja me Fondin Abhu Dabit me një vlerë prej 75 milion dollarë për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve të reja.

Rindërtimi ishte ndër të tjera pjesë edhe e një videomesazhi që Kryeministri shpërndau në mengjes me anë të rrjeteve sociale. “Njerëzit kanë filluar të kthehen në shtëpi. Gjithnjë e më shumë hyjnë në shtëpitë e tyre të reja, javë pas jave e muaj pas muaji. Fëmijët dhe mësuesit sapo kanë nisur të kthehen në shkolla fantastike që as s’ krahasohen me ato që humbën atë natë. Sapo kanë nisur dhe pallatet e para, lagje të reja që do të jenë po aq fantastike sa dhe shkollat e reja”, u shpreh zoti Rama.

Por pikërisht për rindërtimin, mbi qeverinë bien dhe akuzat kryesore të opozitës, e cila në mënyrë të përsëritur, por dhe sot, flet për një proces abuziv dhe korruptiv. Pas vizitës në një nga familjet e viktimave të tërmetit në Thumanë, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se “një vit më pas kemi shumë fjalë dhe pak punë, kemi premtime të pambajtura dhe kemi mijëra familje që gjenden në një situatë shumë të vështirë pas tërmetit, pa banesa të sigurta, me një gjendje ekonomike të rrënuar”.

Kritik ndaj qeverisë u shfaq dhe presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij ndërsa kujtoi se ka akoma shumë banorë që jetojnë në kushte të vështira” Është e rëndësishme që të shtojmë të gjithë përpjekjet për të qenë sa më pranë tyre, sa më pak propagandë, sa më shumë punë, sa më shumë transparencë dhe njëkohësisht ndëshkim për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësinë për cilësinë e dobët të pronave dhe banesave që u shkatëruan një vit më parë”

Procesi i rindërtimit ka nisur me fondet e qeverise, nderkohë që pjesë pjesë edhe donatorët, të cilët ofruan afro 1 miliard euro mbështetje në konferencën e muajit shkurt, kanë nisur të lëvrojnë fondet e premtuara./VOA



Related posts