Shqipëria vendosi për hapjen e shkollave në shtator

loading...

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaruan në një komunikim të përbashkët të martën hapjen e shkollave për arsimin parauniversitar më 14 shtator, pavarësisht numrave të lartë të infektimeve ditore me COVID-19.

“Ne mund të ruajmë shëndetin e nxënësve dhe mësuesve duke i hapur shkollat me shumë kujdes,” tha Shahini, duke përmendur edhe një pyetësor të zhvilluar me mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre.

Sipas saj, nga 135 mijë persona të pyetur, 87% ishin pro hapjes së shkollave në shtator dhe vetëm 13% ishin shprehur në favor të zhvillimit të mësimit nga shtëpitë.

Menaxhimi i vitit të ri shkollor në kushtet e pandemisë duket megjithatë i vështirë. Shahini deklaroi se skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve në shkolla të caktuara –duke planifikuar mësime me dy turne apo zhvendosje të tyre nga njëra shkollë në tjetrën për të garantuar distancimin fizik.

Shqipëria numëron rreth 7500 raste pozitive që nga fillimi i pandemisë në mars dhe mbi 230 persona të vdekur nga koronavirusi SARS-CoV -2; me një kurbë në rritje gjatë muajit gusht. Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se transmetimi i virusit në shkolla konsiderohet i rrallë dhe se Shqipëria e ka testuar këtë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve.

Protokollet e sigurisë janë hartuar, por po detajohen edhe më shumë,” tha Manastirliu, duke iu referuar kushteve të higjienës dhe masave të distancimit nëpër klasa. “Hapja e çerdheve dhe kopshteve, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se pavarësisht rasteve sporadike, s’ kemi pasur shpërthime të infeksionit në këto mjedise,” shtoi ajo. (reporter.al)



loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *