Shtimja, komuna me sy kah urbanizimi e këmbë në bërllok


loading...

“Kthehuni mërgimtarë të dashur, sikur dielli i vendit të huaj s’ ka me ju nxe, e idhët është buka kur të afërmit e farefisin tënd s’ e ke, kthehuni mërgimtarë”, pati thënë Isuf Musliu kandidat i pavarur për zgjedhjet në Shtime në vitin 2013.

Me kundërkandidatë jo të fuqishëm të cilët në fushata zgjedhore koncentrohen në retorikë patriotike dhe një opozitë jo shumë aktive, Naim Ismajli i PDK-së ka arritur të jetë njëri nga kryetarët me mandatin më të gjatë të udhëheqjes në komunat e Kosovës.

Për 13 vite, Ismajli qeveris me komunën ku janë të regjistruar 27 mijë banorë të shtrirë në 23 fshatra.

Komuna është ndër të rrallat ku shtigjet e biçikletave janë aktive kurse qytetarët vazhdojnë të migrojnë për shkak të kushteve ekonomike e jeta nevojitet të zhvillohet afër lumenjve të pa pastruar dhe deponive ilegale të mbeturinave.

Në fushatën e fundit zgjedhore,  Ismajli erdhi në pushtet me premtime për “Shtimen urbane” dhe në dukje si qytetet i gjelbër europian.

Njëri nga premtimet kryesore ishte rregullimi i shtrati të lumit Shtimjan me të cilin synohej të  rregullohej pamja e qytetit.

Investime prej disa qindra mijëra eurosh janë kryer për të realizuar një pamje të bukur afër lumit mirëpo në mungesë të mirëmbajtjes ky lum duket është larg të qenurit i bukur për qytetarët e vizitorët e Shtimes.

Ndotja nga mbeturinat në lumin Shtimjan, Foto: KALLXO.com

Të gjitha rrjetet e kanalizimeve, qoftë ato publike apo private, derdhen në lumin Shtimjan, kurse vetëm gjatë këtij viti ka filluar të ndërtohet kolektori i lumit.

Kryetari Ismajli kishte premtuar që projekti do përfundojë në vitin 2021, kurse mosmirëmbajtja e tanishme e zonave sipas komunës është faj i qytetarëve.

“Pastrimi i lumit ka përfunduar, prap është ndotur, por kjo është si pasojë e hudhjes së mbeturinave nga ana e qytetarëve kryesisht nëpër fshatra. Si pastrim dhe zgjerim e kemi përfundu, tash e kemi fut në plan edhe rregullimin për vitin 2021 me disa mure mbrojtëse, janë disa shtëpi në afërsi të lumit dhe për siguri të tyre do të vendosim edhe disa mure mbrojtëse, mirëpo si pastrim dhe zgjerim ka përfundu”, ka thënë Drejtoresha për Planifikim Urban, Shqipe Rexhaj.

Qeverisja komunale në kompetencë të saj përpos investimeve ka edhe ndëshkimin e ndotësve të ambientit, mirëpo në të dhënat zyrtare s’ ka gjoba të shqiptuara për qytetarët të cilët e kanë ndotur lumin. Projekti i lumit pritet të përfundojë deri në vitin 2021.

“Kam kërkuar nga Shefi i Inspektoratit që të përgatis një informatë rreth gjobave dhe në momentin që do të jetë gati do të ju përcjelli”, ishte përgjigja e Zëdhënësit të Komunës së Shtimes, Gazmend Ademaj të dërguar për KALLXO.com me datë 19 maj dhe deri në publikim të këtij shkrimi ende s’ kemi marrë një përgjigje nga ana e tyre.

Projekti i ndërtimit të lumit Shtimjan, ende i papërfunduar, Foto: KALLXO.com

Ndërtimi i çerdhes dhe shkollave 

Pas rezultateve të dobëta në testin e PISA-s, kandidatët për kryetarë të komunave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 premtuan reformë në arsim.

Sipas ligjit, komunat kanë kompetenca të zgjeruara në organizimin dhe investimet në arsim.

Ndër premtimet kryesore të kryetarit në arsim ishte që secila shkollë do të ketë kabinetin e informatikës dhe secila shkollë do të jetë e pajisur me “tabelën smart”. Poashtu kishte premtime që shkollat do të kujdeseshin për  shëndetin fizik të fëmijëve duke ndërtuar salla sportive.

“Në fillim të vitit 2019 do të përfundojnë shumica e shkollave që realisht janë të reja dhe në kuadër të këtyre shkollave do të instalohen laboratorët. Ne kemi tre laboratorë, të shkencave aplikative dhe deri në fund të vitit 2019 do të përfundojmë laboratorët e të gjitha shkollave të reja. Po vazhdojmë me kompletimin e infrastrukturës teknologjisë informative. në të tëra klasat mësimi do të bëhet me laptopë dhe projektorë”, kishte premtuar Ismajli më 2017.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2020, nga gjithsej 11 shkolla,  pesë kanë “tabela smart” dhe pesë shkolla të kontaktuara kanë thënë se s’ kanë asnjë tabelë të mençur, kurse Drejtori i shkollës në Carralevë, Enver Avdiu s’ është përgjigjur në telefon. ndërkohë, vetëm  shtatë shkolla të kësaj komune kanë kabinete kurse vetëm gjashtë shkolla kanë salla të edukatës fizike.

Në gjimnazin “Naim Frashëri”, në Shkollën e Mesme Profesionale dhe në SHFMU “Lasgush Poradeci” në Muqezinë janë dërguar vetëm nga një “tabelë smart”. Në Shkollën Fillore “Emin Duraku” tri ‘tabela smart”, kurse Shkolla e Mesme e Ulët ka gjithsej 2 “tabela smart”.

kurse, shkollat: “Bajram Curri” në Petrovë , Shkolla Fillore e Mesme e Ulët në Pjetërshticë, shkolla në Reçak dhe Shkolla Speciale s’ janë furnizuar me “tabela smart”.

Ndërtimi i sallave sportive është paraparë vetëm në vitin 2021 dhe 2022, bazuar në planifikimet buxhetore në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve. Për ndërtimin e sallës sportive në fshatin Petrovë janë paraparë 100 mijë euro që pritet të futen në buxhetin e vitit 2021. kurse, në fshatin Zborc janë paraparë 70 mijë euro për ndërtimin e sallës sportive, prej të cilave 30 mijë në vitin 2021 dhe 40 mijë në vitin 2022.

Nga gjithsej 11 shkolla fillore dhe të mesme në Komunën e Shtimes, vetëm një drejtor s’ ka qenë i qasshëm në telefon për të treguar mungesat dhe nevojat e shkollës.

Kryetari Ismajli kishte premtuar që shkollat do të pajiseshin edhe me projektorë dhe laptopë.

Nga gjithsej 10 shkolla që i janë përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com, të gjithë drejtorët kanë thënë se janë të pajisur me laptopë dhe projektorë, por jo për të gjitha klasat ashtu siç kishte premtuar Ismajli.

Gjimnazi “Naim Frashëri”, ka gjithsej 4 laptopë dhe 7 projektorë, Shkolla e Mesme Profesionale sipas U.D të Drejtoreshës, Valbone Deliu ka 7 laptopë dhe 4 projektorë.

Në Shkollën Fillore “Emin Duraku” nga gjithsej 25 klasë, drejtori Arben Zeqiri thotë se s’ e di shifrën e saktë të pajisjeve, por  tregon se 75 përqind e klasave janë të pajisura me projektorë dhe laptopë. Shkolla e Mesme e Ulët “Emin Duraku”, me gjithsej 25 klasë sipas drejtorit Labinot Rexhaj, posedon 20 laptopë dhe 25 projektorë, tre prej tyre jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike.

Drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Bajram Curri”  në Petrovë, ka treguar se secila klasë posedon projektor dhe laptop. Shkolla në Muzeqinë ka gjithsej 46 klasë e cila punon me dy ndërrime, ka 18 laptopë dhe 20 projektorë.

Në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët në Godancë, Drejtoresha e Shkollës, Zade Mustafa ka treguar se vitin e kaluar ishte kryer një vjedhje brenda shkollës ku ishin vjedhur 13 laptopë.

“Po mund të ju them se vitin e kaluar janë vjedhur 13 laptopë nga shkolla. Rasti është i lajmëruar edhe te organet e rendit”, ka thënë drejtoresha Mustafa.

Klasat në shkollën në Pjetërshticë sipas drejtorit Faruk Brahimi,  kanë projektorë dhe laptopë, shkolla në Reçak ka 7 laptopë dhe 7 projektorë kurse Shkolla Speciale “Shpresa” në Shtime sipas Drejtoreshës, Havë Shahini ka nevojë për pajisje teknologjike.

“Janë gjithsej dy klasë në këtë shkollë, i kemi 2 laptopë dhe një projektor të vjetër”, ka thënë për KALLXO.com, Havë Shahini.

Në kohë zgjedhjesh, qytetarët e Shtimes morën premtimin se komuna e tyre do ketë dy çerdhe funksionale.

Të dhënat tregojnë se deri në kohën e zgjedhjeve, komuna kishte një çerdhe kurse kryetari premtoi edhe një çerdhe tjetër.

“Kjo është çerdhja e tipit model, është projekt, kështu ka me ndodhë dhe ka fillu”, kishte thënë Ismajli në DepatPernime.

Të dhënat nga terreni tregojnë se çerdhja është ndërtuar, mirëpo ende s’ është inventarizuar dhe lëshuar në funksion.

“Ky ka qenë donacion i Bankës Botërore dhe ende s’ ka përfunduar inventarizimi i saj. Çerdhja ka përfunduar në qershor-korrik të këtij viti. Për shkak të pandemisë edhe inventarizimi ka shkuar më gjatë, kjo ka qenë arsyeja e vonesës së funksionalizimit të kësaj çerdheje”, ka thënë në një bisedë për KALLXO.com, Drejtoresha e Arsimit të Komunës së Shtimes, Agime Hasani-Roshaj.

KALLXO.com ka kërkuar nga drejtoresha që të dijë se kush e ka fituar edhe tenderin për inventarizimin e kësaj çerdheje por ende s’ ka marrë përgjigje edhe pas insistimeve të shumta.

Në infrastrukturën arsimore, ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Pjetërshticë ishte temë debati gjatë zgjedhjeve.

Kryetari Ismajli kishte premtuar që kjo shkollë do ndërtohet dhe funksionalizohet, kurse të dhënat nga terreni tregojnë se shkolla është ndërtuar, mirëpo nxënësit ende s’ e shfrytëzojnë për shkak se mungojnë bankat dhe karriget.

Shkolla Fillore e vjetër në Pjetërshticë, Foto: KALLXO.com

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes Agime Hasani Roshaj, thotë se ministria e Arsimit është përgjegjëse për pajisjen me inventar të shkollës.

“Objekti i ri shkollor në Pjetërshticë është projekt nga MASHT-i dhe ende s’ e kanë pajisur me inventar objektin. Ne kemi bërë me kohë kërkesën për inventarizim të objektit mirëpo ende janë në ecuri të lidhjes së kontratës me operator edhe për shkollat tjera që janë pjesë e projektit sipas zyrtarit në MASHT-i i cili është mbikëqyrës i projektit Isuf Gashi”, thuhet në përgjigjet e Drejtoreshës së Arsimit.

Në anën tjetër Drejtori i Shkollës në Pjetërshticë, Faruk Brahimi për KALLXO.com ka thënë se dy herë ka dështuar tenderi për inventarizimin e shkollës së re.

Shkolla e re e pa funksionalizuar në fshatin Pjetërshticë, Foto:KALLXO.com

Një shkollë tjetër e premtuar është edhe ajo në fshatin Carralevë. Shkolla ka përfunduar ndërtimin por ende s’ është bërë inventarizimi i saj. Drejtoresha e Arsimit Agime- Hasani Roshaj s’ ka dhënë detaje për inventarizimin e saj.

Për sigurinë e nxënësve dhe të komunitetit, kryetari kishte premtuar ndërtime të trotuareve në dy fshatra të kësaj komune.

“Në Pjetërshticë veç është nënshkruar marrëveshja për trotuare dhe do të ndodhë. Trotuari në Pjetërshticë do të ndodhë në nëntor të vitit 2017, para vitit të ri. Në Carralevë pjesërisht e kemi trotuarin”, kishte deklaruar Ismajli në Debat Pernime në vitin 2017.

Gjendja në terren tregon se trotuari në fshatin Pjetërshticë, është shtruar vetëm në fillim të rrugës që të çon në brendësi të fshatit. Në disa zona trotuari tash është i dëmtuar për shkak të punimeve në rrugë dhe s’ është rregulluar.

Edhe në Carralevë, trotuari që është premtuar është kryer. Por në terren trotuari s’ duket se është mirëmbajtur pasi që i njëjti është i mbuluar me zallë.

Trotuari i mbuluar me zallë në fshatin Carralevë, Foto:KALLXO.com

Mirëmbajtja 

Kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, në “Debat Pernime” në balotazh pati premtuar se salla e sporteve do të finalizohet në fillim të vitit 2018. Ismajli s’ e mbajti fjalën, pasi salla s’ ishte funksionalizuar në kohën që ai kishte premtuar.

Por, salla e sporteve që është lëshuar në funksion në shkurt të vitit 2019, s’ po mirëmbahet.

Në fotografitë e bëra gjatë hulumtimit të KALLXO.com vërehet se mirëmbajtja e kësaj salle nga jashtë s’ është në nivelin e duhur. Muret janë vandalizuar, ka mbeturina përreth saj dhe ka ndryshk në terasën e jashtme.

Salla e sporteve, Foto: KALLXO.com

Gjithashtu, kjo sallë pritet që në vitin 2021 të pajiset edhe me ngrohje. Kështu të paktën ka konfirmuar për për KALLXO.com, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Lumni Amrushi.

“Më 17 shkurt të vitit të kaluar (2019) është bërë përurimi dhe është funksionalizuar. Edhe pse kan përfunduar punimet, mirëpo për shkak të kërkesave të klubeve, ka hyrë në funksionim. Është fjala për ventilim dhe ngrohje. Tetë klube stërviten aty. kurse gjatë vitit 2021 priten të instalohet edhe ventilimi dhe ngrohja”, ka thënë për KALLXO.com, Amrushi.

Ndotja 

Investime në ambient dhe një komunë e pastër ishte premtuar në vazhdimësi gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari Ismalji.

“Unë si kryetar aktual, futem me një vizion shumë të qartë, me Shtimen si qytet urban, me mjedis të pastër, me zhvillim të infrastrukturës, me arsimim, shëndetësi dhe sfera të tjera të avancuara”, kishte premtuar kryetari Ismajli në zgjedhjet e vitit 2017.

Të dhënat nga komuna tregojnë për probleme të mëdha të cilat ende presin zgjidhje. Komuna ka të regjistruara 43 deponi mbeturinash kurse të gjitha rrjetet e kanalizimeve publike dhe private derdhen në lumin e komunës.

“s’ kemi ndonjë statistikë për derdhjet e kanalizimeve fekale në lumin Shtimjan mirëpo mund të them që gati çdo rrjet i kanalizimit publik dhe ata privatë derdhen në lum, këtë vit kemi filluar me ndërtimin e kolektorit dhe deri në pranverë të vitit 2021, çdo derdhje do të kalojë në kolektor dhe më s’ do të ketë asnjë derdhje në lum”, ka thënë për KALLXO.com, Drejtoresha për Planifikim Urban, Shqipe Rexhaj.

Ndotja e lumit shtimjan, Foto: KALLXO.com

Përpos zonave ku kanalizimi derdhet në lum komuna s’ ka arritur të kyçë të gjitha fshatrat në Kanalizim.

Latif Gashi, banor i fshatit Pjetërshticë, tregon se kanalizimi i shkollës dhe ambulancës së fshatit derdhet në pronat e fshatarëve.

Derdhja e ujërave të zeza në mes fshatit, Foto:KALLXO.com

Komuna në përgjigjen e saj pretendon se rreth 90% e fshatrave janë të kyqura në kanalizim

“Fshatrat që janë malore të tipit të shpërndarë shumë dhe me pamundësi për  kyçje të disa shtëpive me një rrjet siç janë: Ranca, Topilla, Llanishti dhe Karaqica. Duke anashkaluar këto fshatra lirisht mund të themi se rreth 90 % e të gjitha vendbanimeve tjera janë të kyçura në rrjetin e kanalizimit”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

Shëndeti

Kosova nga muaji mars përballet me krizën e pandemisë COVID 19, kurse njëri nga rekomandimet kryesore të parandalimit të pandemisë është pastrimi i duarve me ujë të rrjedhshëm.

Nga 23 fshatrat e komunës vetëm 4 lokalitete (Shtimja, Godanci i Epërm, Godanci i Ulët dhe Lagja e Pajtimit) furnizohen me ujë të pijshëm.

Komuna ka investuar në shtrimin e rrjetit të ujësjellësit edhe në tri fshatra, por në mungesë të furnizimit me ujë ato s’ mund të kyçen në ujësjellës.

“Në mungesë të rritjes së kapaciteteve të ujit për momentin siç e cekëm më lartë s’ furnizohen : Petrova, Mollopolci dhe Reçaku”, thuhet në përgjigjet e Komunës drejtuar KALLXO.com.

Fshati Pjetërshticë ka qenë temë diskutimi për ujë edhe në debatet komunale të fundit. Në mes të fshatit Pjetërshticë dhe Carralevë është ndërtuar një rezervuar i cili mendohej se do t’i furnizojë këto dy fshatrat me ujë, por fshati Pjetreshticë edhe sot s’ furnizohet aspak me ujë edhe pse qytetarët më herët kishin paguar nga 70 euro për qasje në një burim të ujit.

Banorët edhe sot ankohen për ujin në këtë fshat dhe thonë se furnizohen nga burime të ndryshme.

Edhe për ujin Komuna e Shtimes ka një përgjigje.

“Fshati Pjetershticë ende s’ furnizohet me ujë për shkak të disa mosmarrëveshjeve me shfrytëzimin e disa burimeve mbi këtë fshat, përndryshe është i shtrirë rrjeti në të tërë fshatin dhe Rezervuari është i ndërtuar”, ka thënë komuna.

Në kujdesin primar shëndetësorë Komuna e  Shtimes funksionon me  Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare  kurse  Qendra e Mjekësisë Familjare në Godanc është mbyllur për shkak mungesës së mjekëve në këtë qendër.

“QMF-Godanc është mbyllur edhe për shkak të mungesës së mjekëve, por më tepër për shkak se shumë pak pacientë e frekuentojnë atë qendër”, thuhet në përgjigjet e komunës.

Në anën tjetër QMF në fshatin Pjetërshticë në maj të këtij viti kishte publikuar një njoftim se punon vetëm tri ditë në javë me një ndërrim për shkak të mos përhapjes së pandemisë COVID-19.

Urbanizmi dhe zhvillimi ekonomik

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismani në Debat Pernime kishte thënë se ‘si kandidat për të parin e Shtimes futet “me vizion të qartë, me qytet urban”.

Në anën tjetër, Komuna e Shtimes edhe sot s’ e ka përfunduar planin rregullues dhe s’ kanë një përqindje të saktë për këtë çështje.

“ende s’ dihet përqindja, momentalisht është duke u punuar në Shtime dhe fshatin Petroviç”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Shtimes të datës 19 maj.

Në Komunën e Shtimës, ishte premtuar se do të zhvillohej edhe zona ekonomike. Një park biznesi është funksionalizuar kurse një tjetër po planifikohet të ndërtohet në zonën ekonomike në fshatin Gllavicë të po kësaj komune.

“Te zhvillimi ekonomik do të përmbarojmë zonën ekonomike që tashmë ka marrë gati formën përfundimtare. Parku i biznesit me 10 biznese të instaluara ku në qershor të vitit 2018 do të jenë të përfunduara. Zhvillimin ekonomik do ta fokusojmë në parqet e biznesnit, po mbarojmë një park biznesi do të hapim edhe dy parqet të tilla biznesi. Kanalet e kullimit do të jenë fokus i joni për tokat bujqësore”, kishte premtuar Ismajli në Debat Pernimë në debatet e mbajtura në fund të vitit 2017.

Në parkun e bizneseve aktualisht janë të vendosura 8 biznese.

“Te parku i biznesit në Shtime, që kanë filluar veprimtarinë janë 8 biznese, kurse gjithsej 11 biznese janë paraparë aty”, ka thënë në një përgjigje në telefon, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Fitim Hoxha.

Në anën tjetër ani pse ishte premtuar për një zonë ekonomike e zhvilluar, procedurat e bizneseve dhe ndërtimit në atë pjesë ende s’ kanë filluar.

“Zona Ekonomike, kanë filluar procedurat s’ janë marrë pëlqimet nga ministra ende dhe s’ kanë filluar punimet. Për momentin vetëm një park të biznesit e kemi dhe jemi në procedura me bo zonën ekonomike qata në fshatin Gllavicë”, tha Drejtori Hoxha.

Një pjesë e banorëve të fshatrave të Shtimës kanë mundësi që të furnizohen me ujë për ujitje nga kanali i destinuar për një gjë të tillë. Por, banorët ankohen se komuna s’ po e mirëmban këtë kanal. Në fshatin Gjurkovc, kanali është i stërmbushur nga barishte të ndryshme.

‘Monopoli’ në prokurim

Në janar të këtij viti në një shkrim të gjatë, KALLXO.com kishte raportuar se Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga Naim Ismajli i PDK-së, i ka dhënë 44 tenderë vetëm një kompanie gjatë periudhës 2016-2019. Vlera e këtyre kontratave ishte 2 milionë e 667 mijë euro.

Kompania që ka fituar 44 kontrata për 4 vjet është ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit nga Shtimja.

Dashnim Jashari është djali i vëllait të Ruzhdi Jasharin, ish- kryetarin e Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, kurse në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës. Kompania ‘Ardhmëria’ vetëm për periudhën qershor- dhjetor 2019, pra për shtatë muaj ka fituar 16 tenderë nga komuna e Shtimes.

Në anën tjetër KALLXO.com ka raportuar edhe për premtimet e mbajtura të kryetarit Ismajli. Sipas Raportit të Auditimit, Ismajli ka eliminuar dobësitë e pasqyrave financiare, një e gjetur e auditorit gjatë vitit 2018.

KALLXO.com gjatë këtyre viteve, pra gjatë mandatit të kryetarit Naim Ismajli ka raportuar edhe për disa parregullësi të tjera.

Në janar të këtij viti KALLXO.com kishte raportuar për dëmtimin e pllakave të varrezave në Kompleksin Momerial e Reçakut.

Barazia gjinore në pronësi dhe vendimmarrje

Në nëntor të 2017, Ismajli kishte premtuar se do të regjistronte pronën në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij. Ashtu edhe bëri. Në janar të 2018, Ismajli i kishte dërguar një dokument gazetës Jeta në Kosovë ku dokumentohej se prona ishte regjistruar në emër të tij dhe të bashkëshortes së tij.

Por, Ismajli s’ e ka mbajtur premtimin e dhënë për ndarjen e pushtetit me gratë.

Ismajli kishte premtuar më shumë se tri gra në pozita udhëheqëse të drejtorive në Komunën e Shtimes, fillimisht, krypometri e kishte zënë në rrenë.

“Kjo [tri drejtori të udhëhequra nga gratë] është minimumi i garantuar, sigurisht kualiteti po rritet, ambiciet po rriten dhe besoj se do të jetë më i  madh shumë”, kishte thënë Ismajli.

Në shkurt të vitit 2018, Naim Ismajli ka vënë në udhëheqje të drejtorive vetëm dy gra.

Por, Ismajli më vonë gjatë mandatit ka bërë ndryshime në drejtorit e Komunës, duke e ndryshuar edhe strukturën gjinore, Tashmë, në uebfaqen e Komunës së Shtimes figurojnë që nga nëntë drejtori gjithsej, katër nga to drejtohen nga gratë. Pra, Ismajli tashmë është në linjë me premtimin që ka dhënë.

Drejtoria e Planifikimit Urban, Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë, udhëheqet nga Shqipe Rexhaj, ajo e Inovacionit dhe Zhvillimit të Projekteve nga Shpresa Tafa, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme nga Havë Qarri si dhe Drejtoria e Arsimit nga Agime Roshaj.

Shembull i veqantë

Banorët e fshatit Pjetërshticë kanë ndërtuar ndriëim publik me vetëfinancim. Në hyrje të fshatit, përballë shkollës fillore, një shtëpi ndihmon banorët e tjerë që të kenë ndriçim gjatë natës, Kjo pasi që i njëjti banor kishte rregulluar ndriçimin me vetëfinancim.

Latif Gashi banorë i fshatit Pjetërshtivë, thotë se ka qenë i nevojshëm ndriçimi sidomos për fëmijët të cilët kalojnë në atë pjesë pasi që përballë shtëpisë së Gashit është e ndërtuar edhe shkolla.

Banorët e të njëjtit fshat, i kanë thënë ekipit të KALLXO.com se ndriçimi është i rëndësishëm, sidomos gjatë kohës së dimrit kur edhe bie terri mbi fshat. Ani pse banorët thonë se kërkesa për ndriçim është i kahmotshëm, ende s’ kanë arritur të pajisen me të në të tërë fshatin.

Shtëpia e cila vetfinancon ndriçimin edhe për banorët e tjerë, Foto: KALLXO.com



loading...