Skip to toolbar

Shukri Buja kërkon përjashtimin e gjykatësit Beqir Kalludra nga rasti ndaj tij


loading...

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja, i cili po akuzohet për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, kërkoi sot përjashtimin e gjykatësit Beqir Kalludra nga rasti i tij.

Sot është duke u mbajtur seanca e fundit e rigjykimit për këtë rast ku po jepet fjala përfundimtare.

Mirëpo mbrojtësi i Bujës, avokati Arianit Koci, u deklarua se s’ e ka të përgatitur fjalën përfundimtare, dhe kërkoi nga gjykata që t’i jepet kohë së paku një javë.

“Procesverbalin e seancës së djeshme e kemi pranuar sot, e kam kontrolluar me email disa herë dje dhe në mbrëmje s’ ka pasur, e kam kontrolluar edhe sot në mëngjes s’ ma keni dërguar, dikur rreth orës 10:30 e kam parë se më ka ardhur”, tha avokati Koci.

“Menjëherë e kam ftuar klientin tim të vijë ta marrë një kopje të procesverbalit dhe i njëjti në mënyrë eksplicite ka kërkuar që t’i jepet kohë për fjalën përfundimtare. As unë s’ kam mbërri më e përgatitë fjalën përfundimtare, mua më nevojiten së paku 7 ditë”, u shpreh Koci.

Kryetari i turpit gjykues Beqir Kalludra e refuzoi kërkesën e mbrojtësit dhe të akuzuarit, për afatin shtesë për përgatitjen e fjalës përfundimtare.

Pas këtij refuzimi i akuzuari Shukri  Buja, kërkoi përjashtimin e gjykatësit Kalludra.

“Pas veprimeve dhe vendimeve të njëanshme të kryetarit të trupit gjykues mua s’ më mbetet rrugë tjetër pos të kërkoj përjashtimin tuaj në këtë çështje penale”, tha Shukri Buja.

ndërsa gjykatësi Beqir Kalludra tha se e gjitha kjo bëhet për qëllim të zvarritje të kësaj procedure.

Pas kësaj kërkesë, gjykatësi Kalludra i njoftoi palët se seanca do të ndërpritet për pak çaste, deri të njoftohet kryetarja e gjykatës Aferdita Bytyçi.

Në këtë rast, bashkë me Shukri Bujën akuzohen edhe Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Bajram Rizani, Edmond Rexhepi, Fahri Vishesella, Driton Avdiu, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra.

ndërsa është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Nehbi Zeqiri, meqenëse i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

 



loading...