Si duhet ta veshni beben kur është vapë?


nenat bebe

Si duhet ta veshni beben kur është vapë?

Tek të rriturit pa marrë parasysh sa është vapë apo acar, qendra e termorregullimit e mundëson që temperatura trupore të jetë stabile.

Tek bebet qendra e termorregullimit akoma nuk është e zhvilluar, prandaj bebeve iu duhet më shumë kohë që ta adaptojnê temperaturën trupore me temperaturën e jashtme.

Bebja e cila është veshur trashë është e shqetësuar, qanë dhe në lëkurë i formohen puçrra të kuqe. Në këtë rast rritet edhe temperatura trupore (sepse qendra e termorregullimit nuk êshtë e zhvilluar) dhe prindërit shpeshherë e mbulojnë beben edhe më shumë duke konsideruar se është “ftohur”.

Duart dhe këmbët e bebes gjithmonë janë më të ftohta, kurse koka është më e nxehtë, prandaj mos e veshni beben trashë vetëmpse i ka këmbët e ftohta (vishni çorape, por mos e veshni me rroba të trasha).

Prekni me dorë trupin e bebes – temperatura duhet të jetë sikur e dorës suaj dhe lëkura nuk duhet të jetë e nxehtë dhe e djersitur.

Nuk duhet të ketë luhatje të mëdha të temperaturës së jashtme, prandaj duhet të keni kujdes me kondicionerin në dhomë dhe në veturë.

Dallimi midis temperaturës së jashtme dhe temperaturës në dhomë (ose veturë) nuk duhet të jetë mbi 5°C.

Para se të dilni nga dhoma duhet ta ndalni kondicionerin për rreth 15 minuta që organizmi i bebes të adaptohet.

Poashtu, para se të dilni nga vetura hapni dritaret që trupi i bebes të adaptohet.

Bebja mund të lahet bashkë me ju në pishinë të të rriturve pa problem, vetëmse sigurohuni për pastërtinë e ujit.

Ekzistojnë goma që vendosen në belin e bebes dhe bebja kënaqet në ujë.

Trupin duhet t’ia lyeni me pomadë për mbrojtje nga rrezet e diellit ne faktor 50.

Jepni ujë vazhdimisht (nëse jeni duke e ushqyer me gji, duhet ta ushqeni më shpesh)!

Bebja duhet të pijë që të mos dehidrohet.

Pelenat ia ndërroni më shpesh!

Burimi: Poliklinika “Dr.Memli”

Leave a Reply

error: Content is protected !!