Si funksionojnë antidepresivët ?


Barnat , Ilaçet

Si funksionojnë antidepresivët ?

Shumica e ilaçeve të depresionit funksionojnë duke ndryshuar ekuilibrin e kimikateve të trurit të quajtur neurotransmetues, të cilët ndikojnë në gjëndjën e humorit. Neurotransmetuesë janë Serotonina, Noradrenalina dhe Norepinefrina.
Mjeku i familjes mund të përshkruajë ilaçe kundër depresionit, por nëse simptomat e depresionit janë të rënda, mund t’ju nevojitet vizita edhe te një psikiatër, i cili është një mjek i specializuar në shëndetin mendor.

Mjekimi mund të ndihmojë me simptomat e depresionit, por jo gjithmonë trajton shkaqet e depresionit, për këtë arsye mund të nevojitet edhe psikoterapia nga Psikologë Klinik.

Çfarë kuptimi kanë gjithë ato shkronja?

Klasa të ndryshme të ilaçeve kundër depresionit punojnë në kimikate të ndryshme të trurit.
Triciklikët (TCAs) dhe frenuesit e rimarrjes së serotoninës dhe norepinefrinës (SNRIs) rrisin nivelet e serotoninës dhe norepinefrinës në trurin tuaj.
Frenuesit selektiv të rimarrjes së serotoninës (SSRIs) rrisin serotoninën.
Frenuesit e monoamine oksidazës (MAOI) ndalojnë prishjen/thyerjen e neurotransmetuesve monoamine.

Pritshmëritë në realitet!
Në përgjithësi, ilaçet kundër depresionit funksionojnë vërtet mirë, veçanërisht kur përdoren së bashku me psikoterapinë. Kombinimi mund t’ju japë rezultate më të mira sesa përdorimi i secilit trajtim vetëm. Shumica e njerëzve që marrin ilaçe kundër depresionit thonë se kanë përmirësime eventuale në simptoma të tilla si trishtimi, humbja e interesit dhe mungesa e shpresës, por këto ilaçe nuk veprojnë menjëherë. Mund të duhen 1 deri në 3 javë ose më shumë para se të filloni të ndiheni më mirë, dhe madje edhe më shumë para se të ndjeni përfitimin e plotë, kshuqë gjatë kësaj kohe është mirë të bëni edhe disa seanca psikoterapie.

Kur ka nevojë të ndryshohet terapia?
Duhet të bisedoni me mjekun nëse simptomat nuk janë përmirësuar pas 3 muajsh mjekim, pasi mund të keni nevojë për një dozë më të fortë ose një antidepresant tjetër.
Shumë njerëz nuk ndjejnë lehtësim nga ilaçi i parë kundër depresionit që provojnë, gjithashtu, medikamentet e depresionit mund të ndalojnë së funksionuari në një numër të vogël njerëzish që i kanë marrë ato për një kohë të gjatë. Prandaj gjithmonë duhet të bashkëpunoni me mjekun që ju ndjek për të gjetur trajtimin duhuri.
Ju mund të tundoheni të lini marrjen e ilaçit edhe pse ai punon mire, ose mund të mendoni të ndaloni sepse orari i dozimit është i papërshtatshëm ose sepse ka efekte anësore të pakëndshme.
Vazhdoni të pini barnat kundër depresionit për aq kohë sa ju thotë mjeku, zakonisht kura zgjat të paktën 6 muaj.
Mjekimi duhet të vazhdojë edhe nëse ndiheni më mirë më herët, sepse depresioni mund të rikthehet.
Disa njerëz me depresion nuk përmirësohen me ilaçet kundër depresionit dhe duhet të eksplorojnë mundësi të tjera trajtimi.
Kryesorja është që mos të hiqni dorë shpejt pasi mund të duhet kohë deri sa të arrihen rezultate të pëlqueshme.

Menaxhimi i efekteve anësore!
Mos kini turp t’i tregoni mjekut për ndonjë efekt anësor, shpesh ka mënyra për t’i menaxhuar ato. Për shembull, marrja e antidepresantit me ushqim mund të ndihmojë me nauzenë (ndjesia e të vjellës).
Nëse keni probleme seksuale, mjeku mund të ndryshojë ilaçin ose të shtojë një tjetër.
Nëse ndiheni të lodhur, provoni ta pini ilaçin 1 deri në 2 orë para gjumit. Nëse ilaçi kundër depresionit shkakton pagjumësi, pijeni në mëngjes.
Ilaçet mund t’ju bëjnë të ndiheni nervozë, pët të shmangur këtë gjë mund tju ndihmojnë ushtrimet fizike. Provoni një stërvitjet relaksuese si joga ose ushtrimet e frymëmarrjes së thellë.
Ushtrimi çliron endorfina, kimikate të lidhura me përmirësimin e humorit dhe kështu na çon në nivele më të ulëta të depresionit.
Disa studime sugjerojnë se stërvitja e rregullt është një trajtim efektiv për depresionin e lehtë dhe të moderuar.
Stërvitjet në grup ose stërvitja me një partner mund të jenë gjithashtu të dobishme.
Gjithsesi, shumica e efekteve anësore largohen më vete pas disa javësh.

Ndërveprimet me ilaçet e tjera!
Antidepresantët e përdorur më shpesh sot kanë më pak efekte anësore dhe ndërveprime me ilaçet sesa versionet e vjetra. Sidoqoftë, çdo ilaç kundër depresionit mund të ndërveprojë me ilaçe të tjera. Bëjani me dije mjekut për çdo ilaç të ri me recetë, ilaçe pa recetë, ose shtesa dietike (suplemente) që planifikoni të merrni. Këto mund të ndikojnë në mënyrën se si funksionon ilaçi antidepresiv.

Ndjekja në vazhdimësi!
Një gjë shumë e rëndësishme është që të vazhdoni të shkoni në të gjitha takimet e mjekut gjatë kohës që jeni duke marrë ilaçe kundër depresionit.
Ndodh që depresioni mund të rikthehet quhet rilaps (rikthim).
Nëse simptomat kthehen, mjeku mund të ndryshojë dozën e ilaçit ose të përshkruajë një ilaç të ri.
Sigurohuni që t’i tregoni mjekut për çdo ndryshim të madh në jetën tuaj, të tilla si humbja e një pune, zhvillimi i një gjendje tjetër mjeksore ose shtatzënia.

Gojëdhënat rreth antidepresantëve!
Disa njerëz shqetësohen se ilaçet kundër depresionit mund t’i kthejnë në një “robot”.
Fakti është se ilaçet kundër depresionit mund të lehtësojnë ndjenjat e trishtimit, por ato nuk i zhdukin fare emocionet.
Një mit tjetër është se mund të keni nevojë të merrni ilaçe për gjithë jetën.
Një kurë mjekimi tipike me ilaçe kundër depresionit zgjat 6 deri në 12 muaj tek njerëzit që kanë pasur një episod të vetëm të depresionit madhor, por nuk përjashtohet mundësia që mund të keni nevojë për trajtim më të gjatë nëse keni pasur episode të shumta depresioni gjatë jetës tuaj.
Nëse keni dëgjuar se ilaçet kundër depresionit shkaktojnë varësi fizike, kjo nuk është e vërtetë, por sidoqoftë, mund të keni simptoma të pakëndshme nëse ndaloni marrjen e tyre në mënyrë të menjëhershme.

Përfitimet e Psikoterapisë!
Studimet kanë treguar se terapia “me të folur” në bashkëveprim me ilaçet kundër depresionit janë shpesh mënyra më efektive për të trajtuar depresionin.
Llojet e terapisë përfshijnë “terapi njohëse të sjelljes” (konjitive behaviorale), e cila fokusohet në ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve negative dhe “terapi ndërpersonale” (interpersonale), e cila fokusohet në marrëdhëniet tuaja me të tjerët.

Si ti ndërpresim ilaçet kundër depresionit!
Mjeku që ju ndjek është ai që do t’ju ndihmojë të gjeni kohën e duhur për të ndaluar ilaçet kundër depresionit.
Lënia papritur mund të shkaktojë efekte anësore të pakëndshme apo edhe rikthim të depresionit. Mund të jeni të trullosur, të ndieni të përziera, të ndiheni të lodhur ose të keni dhimbje koke apo marrje mendsh. Gjithashtu mund të kthehen edhe simptomat e depresionit. Prandaj duhet të punoni me mjekun që ju ndjek për të lënë ilaçet ngadalë./ Dr. Gerlad Kola

 

error: Content is protected !!