Çdo vend anëtar ka një delegacion të përhershëm në selinë politike qendrore të NATO-s në Bruksel. Ai është i kryesuar nga një ambasador i cili përfaqëson qeverinë e tij në konsultimet e Aleancës dhe në procesin e marrjes së vendimeve.
Këshilli i Atlantikut të Veriut është organizmi më i rëndësishëm për marrjen e vendimeve politike brenda Organizatës. Ai takohet në nivele të ndryshme dhe kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i cili ndihmon anëtarët që të arrijnë marrëveshjet sipas çështjeve kryesore.
Të gjitha vendimet brenda secilit nga komitetet e NATO-s bëhen nëpërmjet konsensusit. Pra një “vendim i NATO-s” është shprehja e vullnetit të përgjithshëm të të gjithë vendeve anëtare.
NATO ka shumë pak forca të përhershme, të vetat. Kur vendoset të bëhet një operacion nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, anëtarët japin kontributin e tyre në forca mbi bazë vullnetare. Këto forca kthehen në vendet e tyre menjëherë sapo përfundohet misioni.
Ky është roli i strukturës së komandës ushtarake, të bashkërendisë dhe të drejtojë këto operacione. Kjo strukturë gjendet në selinë qendrore dhe në bazat e vendosura në vendet e ndryshme anëtare. Aktivitetet e përditshme të NATO-s, strukturat civile dhe ushtarake dhe programet e investimit për sigurinë, financohen nëpërmjet buxheteve të përbashkëta, për të cilat qeveritë anëtare kontribuojnë në pajtim me një formulë shpenzimesh të vendosur bashkërisht.