© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Prostata , Prostatë

Si funksionon prostata dhe kur duhet operuar atë ?

Prostata është një gjëndër me madhësinë e një gështenje dhe peshon rreth 30 gram. Ajo është pjesë e sistemit riprodhues mashkullor dhe ndodhet brenda trupit.

Funksioni më i rëndësishëm i prostatës është prodhimi i një lëngu që, së bashku me qelizat e spermës nga testiset dhe lëngjet nga gjëndrrat e tjera, përbëjnë spermën.

Muskujt e prostatës gjithashtu sigurojnë që sperma të shtypet me forcë në uretër dhe pastaj të nxirret jashtë gjatë derdhjes (ejakulimit).

Prostata është e vendosur menjëherë poshtë fshikëzës së urinës dhe mbi muskujt e dyshemesë së legenit.

Rektumi gjendet pas prostatës, duke bërë të mundur që të ndjehet gjëndrra nga rektumi duke përdorur gishtin tregues gjatë ekzaminimit të saj.( Ekzaminimi digito-rektal, një metodë e thjeshtë por akoma ruan epitetin e “standardit të artë” për të diferencuar rritjen benjne të prostatës, nga karcinoma e prostatës !).

Kanalet në gjëndrën e prostatës derdhen në uretër, e cila kalon përmes prostatës. Fjala “prostatë” është marrë nga ghuha greke, që do të thotë “ai që qëndron më përpara”, i cili përshkruan pozicionin e gjëndrrës së prostatës. Shikuar nga poshtë, ku uretra lë gjëndrrën, prostata “qëndron para” fshikzës.

Gjëndrra e prostatës është e rrethuar nga një kapsulë e indit lidhës që përmban shumë fibra muskulore të lëmuara dhe ind lidhës elastik, prandaj ndihet si një masë elastike në prekje kur ekzaminohet. Ka edhe shumë qeliza të muskujve të lëmuar brenda prostatës. Gjatë ejakulimit këto qeliza muskulore tkurren dhe shtypin me forcë lëngun që është ruajtur në prostatë , për ta kaluar në uretër. Kjo bën që lëngu dhe qelizat e spermës, së bashku me lëngun nga gjëndrrat e tjera, të kombinohen për të formuar spermën, e cila më pastaj ejakulohet ( derdhet).

Indet e gjëndrrës së prostatës mund të ndahen në tre zona të ndryshme, të renditura këtu nga brenda deri në ato më të jashtmet, të cilat rrethojnë uretrën, si shtresat e qepës:

a. Zona e tranzicionit, gjendet në brendësi të gjëndrrës dhe është pjesa më e vogël e prostatës (rreth 10%). Ajo rrethon uretrën midis fshikëzës dhe të tretës së sipërme të uretrës.

b. Zona qendrore, rrethon zonën e tranzicionit dhe përbën rreth një të katërtën e masës totale të prostatës. Këtu gjendet tubi i përbashkët për prostatën, kanalin seminal dhe fshikëzat seminale. Ky kanal është i njohur edhe si kanali ejakulator (Ductus ejaculatorius).

c. Zona periferike përfaqëson pjesën kryesore të gjëndrës së prostatës – rreth 70% e masës indore është pjesë e zonës periferike.

Indet e zonës së tranzicionit kanë tendencë të pësojnë rritje beninje (jo-kanceroze) në moshat e shtyera.

Termi mjekësor për këtë është Rritja Bninje e Prostatës (BPE-Benigne prostate enalarged). Nëse indi i prostatës “zmadhohet”, tashmë është e njohur se gjendërrat periuretrale , janë ato që zmadhohen, ndërsa indi i vërtetë i prostatës shtyhet drejt periferisë, kjo mund të sjellë vështirësi në urinim. Ky është një problem i zakonshëm midis burrave të moshuar. Tumoret malinje (kanceroze) në prostatë kryesisht zhvillohen në zonën periferike( indi i vërtetë i prostatës !).

Cilat janë funksionet e prostatës ?

Prostata ka funksione të ndryshme:

1.Prodhimi i lëngut për spermë
Një pjesë e spermës, prodhohet në prostatë. Së bashku me qelizat e spermës, nga testikujt, lëngun nga fshikëzat seminale dhe sekrecionet e liruara nga një gjëndër tjetër me madhësi bizele, poshtë prostatës (gjëndra bulbouuretrale), lëngu i prostatës përbën spermën. Të gjitha këto lëngje përzihen së bashku në uretër.

Sekretimi prostatik është i rëndësishëm për funksionimin e duhur të qelizave të spermës, dhe për këtë arsye edhe për pjellorinë tek burrat.Ai është tejet i pasur me fruktozë dhe zink, të cilët ushqejnë qelizat spermatike. Ky lëng i hollë dhe me dukje si qumështi, përmban shumë enzima, të tilla si antigjeni specifik i prostatës (PSA). Kjo enzimë e bën spermën më të hollë.
Substanca e ngjashme me hormonet, spermina siguron kryesisht lëvizshmërinë e qelizave spermatozoide (aftësinë për të lëvizur).

2. Mbyllja e uretrës deri në fshikëz gjatë derdhjes(ejakulimit).
Gjatë derdhjes, prostata dhe muskujt muskulor të fshikëzës mbyllin uretrën deri në fshikëz për të parandaluar futjen e spermës në fshikëz.

3. Mbyllja e kanaleve seminale gjatë urinimit.
Gjatë urinimit muskujt e zonës qendrore mbyllin kanalet e prostatës në mënyrë që urina të mos mund të hyjë, brenda tyre, që do mud të shkaktonte prostatit bakterial.
4. Metabolizmi i hormoneve.
Në prostatë, hormoni seksual mashkullor testosteroni shndërrohet në një formë aktive biologjikisht, DHT (dihidrotestosteron).
Duke pasur parasysh një rol kaq të rëndësishëm të prostatës në jetën seksuale dhe jo vetëm atë, shtrohet pyetja se kur duhet operuar prostata dhe cilët janë treguesit për intervenim kirurgjik, mbi të ?
Tashmë është e njohur se ka preparate farmaceutike ( barëra) të cilat mjekojnë mjaft me sukses rritjen beninje të prostatës, qoftë duke ngadalësuar rritjen e saj , qoftë duke përmirësuar problemet që vijnë nga kjo rritje e që kryesisht, janë probleme të urinimit , si :ujëderdje të shpeshta gjatë natës ( nikturi), për shkak të dominimit të parasimpatikusit gjatë natës; vështërësi në ujëderdhje, gjegjësisht sforcim gjatë urinimit ( për shkak të ngushtimit të llumenit të uretrës); pritje (hezitim) për të urinuar ( për shkak të hapjes më të ngadalshme të qafës së fshikzës urinare); vrushkullit të hollë të urinës dhe ndërprerje të vrushkullit të urinës, gjatë urinimit deri te ( mbajtaj) komplete e urinës, në rastet e një rritjeje tejet të madhe të prostatës, duke shpënë gjer te një ngushtim i qafës së fshikzës, gjë që pamundëson hapjen e lirshme të saj.
Por, a është madhësia (volumi i prostatës) kriter kryesor për intervenim kirurgjik? Përgjigja është, jo. Jo rrallë, në praktkë hasim burra me prostatë tejet të madhe ( voluminoze , madje edhe mb 100 gr.) dhe të mos kenë probleme të mëdha me ujëderdhje, dhe e kundërta, prostata shumë të vogla, por që paraqesin probleme të mëdha gjatë ujëderdhjes. Pra, problemet që shkakton prostata, nuk varen shumë nga madhësia e prostatës, por më shumë nga struktura ( ndërtimi i saj). Në ato prostata ku dominon struktura fibroze ( shndërrim i indit muskular në atë fibroz ), problemet nga prostata janë shumë më të mëdha, ndonëse prostata është mjaft e vogël, përkundër prostatave tejet voluminoze, po, ku dominon struktura muskulare dhe gjëndrrore e ndërtimit dhe ku nuk kemi probleme të mëdha, me ujëderdhjen.
S do harruar fakti, se, tashmë, ka një mori sëmundjesh të traktit të poshtëm urinar me shenja dhe simptoma të ngjashme, e që kërkohet të diferencohen, për të shpallur prostatën, si “ fajtore” të problemeve të traktit të poshtëm urinar. Këto sëmundje njihen nën një emër të përbashkët, si LUTS , os Sindroma e Sëmundjeve të Traktit të Poshtëm Urinar ( Low Urinary Trcat Syndrom), ku futet edh prostata. Për këtë arsye, është më se i nevojshëm një ekzaminim i hollësishëm nga ana e urologut, për ta shpallur prostatën “fajtore” të problemeve të këtij trakti dhe vetëm atëherë mund të shënojmë diagnozën klinike LUTS/BPE, që do të thotë Prostatë e Madhe, Beninje, shkaktare e Sindromit të Traktit të Poshtëm Urinar. Dhe urologu, pasi të bëje një vlerësim sa më të saktë, përcakton edhe mënyrën e mjekimit e cila nuk duhet të jetë e ngutshme dhe të indikohet intervenimi kirurgjik, për shkak të pasojave të heqjes së saj, por edhe për shkak të komplikimeve të shumëta, që rrjedhin nga një ndërhyrj e tillë. Dhe, pasojat, mund të jenë, nga një stenozë e uretrës prostatike, deri te një inkontinencë ( pamundësi mbajtjeje) e urinës, të cilat janë komplikime të rënda, që prishin kualitetin e jetës dhe që e përcjellin pacientin, deri në vdekje.
Në këtë rast, pacienti do mjekohet me barëra , tashmë të dëshmuara, që frenojë rritjen e prostatës dhe lehtësojnë simptomat e LUTS-it. Të tilla barëra janë inkibitorët e enzimës, 5alfa-reduktazë, e cila bllokon aktivitetin e këtij enzmi dhe i cili e shndërron testosteronin në dehidrotestosteron( DHT).Ata frenojnë të tre format e 5alfa-reduktazës dhe shpiejnë deri te ulja e nivelit të DHT-së, në gjak, deri në 98 %. Natyrisht, këtyre barërave u shtohen edhe të ashtuquajturit alfa-bllokatorë, të cilët e relaksojnë mskulaturën në prostatë dhe qafën e fshikzës , duke mundësuar një urinim të lehtë dhe të durueshëm për pacientin. Natyrisht, mund të ordinohen edhe spazmoanalgjetikë, për të pushuar dhembjet dhe ndjenjën e të “djegurit” , gjatë urinimit. Të dy këto barëra( inkibitorët e 5alfa reduktazës dhe alfa- bllokatorët), ipen së bashku, për një periudhë gjashtëmujore dhe pastaj varësisht nga veprimi dhe efekti i tyre, urologu do bëjë një rivlerësim të gjendjes së pacientit dhe do merr vendim për vazhdim të terapisë së njejtë apo për ndonjë ndryshm ( duke mënjanuar njërin nga barërat, zakonisht inkibitorët e 5 alfa reduktazës!) , për të vazhduar, pa u ngutur deri tek gjendja, kur pacienti bie në të ashtuquajturën retencë urinare. Edhe në këtë rast, përsëri nuk duhet ngutur, sepse jo rrallë pacientët me retencë urinare akute, pas një apo dy kateterizimesh dhe mjekim të ndonjë infeksioni shoqërues, persëri rikthehen në gjendjen e mëparshme, edhe një kohë të gjatë, duke mos patur nevojë për një ndërhyrje kirurgjike, endourologjike apo të hapur.
Ndërhyrja kirurgjike bëhet e nevojshme, vetëm atëherë kur pacienti është futur në fazën e retencës urinare kronike dhe tashmë edhe pas disa kateterizimeve, pacienti rezulton me mbetje të urinës, në sasi mbi 100 ml., e më nuk ndihmon, terapia me barëra. Në kete rast, mjeku pas një bisede të gjatë e shterruese, me pacentin dhe familjarët, duke iu shpjeguar të gjitha mundësitë, përparësitë dhe komplikimet e mundshme të së ciëls prej ndërhyhrje ve kirurgjike, marrin vendim për llojin e ndërhyrjes kirurgjike, e cila duhet të jetë adapte me gjendjen e përgjithshme, shkallën e mbijetesës dhe benefitet , që do ketë pacienti, nga kjo ndërhyrje, krahasuar me komplikimet dhe pasojat e mundshme .

Prof. Ass. Dr. Isa Haxhiu, urolog, QKUK

Prostata , Prostatë

You cannot copy content of this page

Sign In

Register

Reset Password

Please enter your username or email address, you will receive a link to create a new password via email.