Mon. May 16th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Pyetje dhe Përgjigje

Si mjekohet karcinoma e pankreasit ?

Metodë prioritare e trajtimit të kancerit të pankreasit është mënjanimi kirurgjik i tumorit.

Pas operacionit, pothuaj te të gjithë pacientët nevojitet hemoterapia dhe radioterapia.

Nëse tumori nuk mund të hiqet tërësisht me mënyrën kirurgjike, para operacionit fillohet me hemoterapi dhe radioterapi që të zvogëlohet madhësia dhe që trajtimi kirurgjik të ketë rezultate.

Nëse sëmundja kalon në metastazë, d.m.th. është përhapur në organet tjera, aplikohet vetëm një metodë, e kjo është hemoterapia.

Pankreasi është i vendosur prapa lukthit dhe gjendet në vend ku kalojnë shumë gjak dhe enë limfatike. Prandaj, pas trajtimit gjasat për paraqitjen e serishme të sëmundjes janë shumë të mëdha. Te pacientët të cilët janë mjekuar ekziston rrezik që sëmundja përsëri të paraqitet në afat prej 3 viteve.

Mjekimi më efikas dhe periudha më e gjatë e mbijetimit pritet me gjetjen dhe përdorimin e agjenseve më efikase hemoterapeutike.

Çfarë është radioterapia?

Radioterapia është përcaktuar si trajtimi i indit kancerogjen apo të disa tumoreve jo malinje me anë të ndihmës së rrezatimit. E njohur publikisht si terapi radiologjike ose terapi me rreze jonizuese. Rrezet e përdorura në radioterapi kanë për qëllim parandalimin e rritjes së qelizave të kancerit ose shkatërrimin e tyre. Pas diagnostikimit të kancerit 60-80% e pacientëve me kancer kanë nevojë për radioterapi. Pacientët të cilët kryejnë këtë terapi janë të sigurt për mjedisin përreth dhe mund të vazhdojnë normalisht me aktivitetet e përditshme.

Si përcaktohet metoda e trajtimit?

Ka disa faktorë të cilët ndikojnë në përcaktimin e trajtimit (kirurgjia, radioterapia apo kimioterapia). Faktorët kryesorë janë: lloji histologjik i tumorit, faza në të cilën ndodhet tumori, lokalizimi i sëmundjeve malinje, mosha e pacientit dhe gjendja e tij e përgjithshme. Vendimet e trajtimit merren pas vlerësimit nga ana e mjekëve të fushave të ndryshme dhe çdo pacient vlerësohet individualisht.

Si ndikon radioterapia tek pacienti?

Radioterapia paraqet një trajtim lokal dhe është një metodë e trajtimit jo invaziv. Doza e lartë e rrezatimit e marrë gjatë seancave me radioterapi, i shkatërron qelizat ose  pengon përhapjen  apo shumimin e tyre. Për shkak se qelizat e tumorit përhapen më shpejtë se ato normale, radioterapia  shkatërron shumicën e këtyre qelizave. Edhe pse edhe qelizat normale janë nën ndikimin e rrezatimit, mund të shërohen në një periudhë të shkurtër kohore, si rezultat i ndjeshmërisë së tyre të ulët dhe mekanizmave specifike të rigjenerimit të cilat nuk janë tipike për qelizat kancerogjene. Nga ana tjetër numri i qelizave normale të cilat e rrethojnë atë pjesë e cila trajtohet, është një milion herë më i madh se numri i qelizave të kancerit. Për t’i mbrojtur qelizat normale, doza totale e rrezatimit është e ndarë në doza më të vogla të cilat jepen në periudha të caktuara kohore në ditë. Për më tepër, mjekët përpiqen për t’i mbrojtur qelizat e shëndetshme duke e fokusuar drejtpërdrejtë rrezatimin në zonën e sëmurë.