Si mund të konfirmohet shtatzënia?
Ekzistojnë dy mënyra për konfirmimin e shtatzënisë: përmes një mostre të urinës ose përmes një mostre të gjakut. Qëllimi i të dy mostrave është detektimi i hormonit HCG, hormon ky i cili prodhohet në organizmin e gruas kryesisht vetëm gjatë shtatzënisë. Dhe, përderisa testi me urinë jep informacion vetëm se a jeni apo nuk jeni shtatzënë, testi me gjak mund të jep vlera të sakta të hormonit HCG dhe tregon se a është duke u zhvilluar si duhet shtatzënia, veçanërisht në fillimet e saj.
Testi me urinë është më i saktë poçese bëhet së paku një javë pas kalimit të terminit të fillimit të periodave gjegjësisht menstruacioneve, sepse, nëse kryhet më heret, mund të del negativ, edhe nëse gruaja është shtatzënë. Këtë test mund ta bëni vet në shtëpi ose në ordinancën e gjinekologut. Dhe, nëse ky test kryhet sipas udhëzimeve të parapara, zakonisht është i sigurtë 97-99%, ndërsa rezultatin e tij mund ta fitoni brenda një minute.
Kurse testi me gjak mund të realizohet në ordinancën e gjinekologut apo në ndonjë laborator dhe ky mund ta verifikojë shtatzëninë edhe para kohës së pritjes së fillimit të periodave apo menstruacioneve. Por, testet me gjak zakonisht përdoren më rralle për ta zbuluar shtatzëninë te gratë. Kjo për shkak se këto janë më të shtrenjta se sa testet me urinë, kurse marrja e rezultatit mund të zgjasë prej disa orë deri në më shumë se një ditë.
Dr. Gjina Zeqiri, MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Subpecialiste për infertilitet dhe IVF
Swiss Fertility Clinic – Klinika Zvicerane për fertilitet (Kosovë)
Mob: +383 44 111 934 (Viber/Whatsapp)
Fb: Gjina Zeqiri