Si ta ulim nivelin e kolesterolit?
Rekomandimi kryesor është ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik. Duke qenë se mbipesha është një faktor i lartë rreziku, ushqyerja e pasur me fibra mund të ndihmojë në reduktimin e saj. Ushqimet me përmbajtje të lartë të fibrave përfshijnë frutat, perimet, drithërat, bishtajat dhe fasulja. Për uljen e kolesterolit duhet kufizuar mishi i kuq, duke shtuar në dietë peshk dhe pulë. Kujdes duhet bërë me ushqimet e ferguara dhe ushqimet e shpejta (fastfood). Po ashtu kujdes duhet të tregojmë edhe me përdorimin e karbohidrateve (sheqernat).
Për të pasur një plan të ushqyerjes së shëndetshme dhe për të menaxhuar nivelin e kolesterolit në gjak është e nevojshme të konsultoheni me mjekun dietolog. Ata hartojnë protokolle ushqimore në bazë të metabolizmit individual dhe problematikës shëndetësore personale.
Të qenit mbipeshë ka tendencë për të rritur nivelin e LDL kolesterolit dhe humbja e peshës mund të ndihmoje në uljen e LDL dhe të triglicerideve, si edhe për të rritur HDL kolesterolin.
Po ashtu pirja e duhanit jo vetëm që dëmton mushkëritë, por luan rol në uljen e HDL kolesterolit (kolesteroli i mirë). Duke lënë duhanin nivelet e HDL do të rriten duke ulur rrezikun për sulme në zemër, apo sulme në tru.
Aktiviteti fizik mund të ndikojë për të reduktuar deri në 6% kolesterolin e keq. Vetëm 40 minuta ushtrime të tilla, si: ecje, not apo çiklizëm tre deri në katër herë në javë mund të kenë një ndikim të madh në nivelin e kolesterolit.
Padyshim që në lidhje me gjendjen tuaj shëndetësore dhe formën e aktivitetit fizik duhet të bisedoni me mjekun tuaj. Nganjëherë këshillimet dietetike dhe aktiviteti fizik mund të mos mjaftojnë për të mbajtur nivele të shëndetshme të kolesterolit në gjak. Në këto raste, gjithmonë me këshillimin e mjekut ndihmojnë medikamente të përcaktuara.
Dr. Gojart Xh. Pllana, MD
Specialist i Kardiologjisë
045/048 108018