Fri. Sep 30th, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Prostata

Simptomat e një prostate beninje të zmadhuar (PBZ-BPE)

Shumica e meshkujve përjetojnë zmadhimin e gjëndrës së prostatës, ndërsa plaken. Kjo është një gjendje e quajtur zmadhimi beninj i prostatës(PBZ), ose BPE( Benigne prostate enlarged), ose siç njihet zakonisht , hiperplazia beninje e prostatës (BPH), ndonëse ky term konsiderohet i gabuar, meqë kjo e fundit më tepër i referohet një nozologjie histopatologjike, se sa asaj klinike.
Gjëndra e prostatës gjendet poshtë fshikëzës dhe anash uretrës( urinnxjerrësit). Kur bëhet më e madhe, mund të bllokojë rrjedhën e urinës përmes uretrës, e cila është tubi që e çon urinën nga fshikëza, përmes penisit. Kjo mund të shkaktojë probleme me urinimin. Ekspertët theksojnë se gjëndrra e prostatës rritet gjersa meshkujtvijnë duke u plakur, si rezultat i ndryshimeve në ekuilibrin hormonal. Nëse nuk merrni trajtim për të, PBZ-BPE, mund të shkaktojë probleme të fshikëzës, traktit urinar ose veshkëve.
Komplikimet e PBZ mund të jenë serioze, por PBZ nuk është kancer i prostatës. Të kesh PBZ nuk do të thotë që ju keni një rrezik në rritje, të kancerit të prostatës. Rritja e indit të prostatës e lidhur me ZBP, fillon në brendësinë e prostatës, e cila rrethon uretrën në formë të një unazeje dhe vazhdon të rritet nga brenda. Kanceri i prostatës fillon të rritet në pjesën e jashtme të prostatës dhe rritet nga jashtë.
Simptomat e një zmadhimi beninj të prostatës(PBZ):
1. Nevoja urgjente ose e shpeshtë e urinimit
Shumë burra me PBZ do të ndjejnë nevojën për të urinuar shpesh, veçanërisht gjatë natës. Kjo është një gjendje e quajtur nokturia. Urinim i shpeshtë, ndërkaq, përkufizohet si nevojë për të urinuar tetë ose më shumë herë, brenda një dite. Ndonjëherë, kjo nevojë për të urinuar mund të jetë urgjente. Një gjëndër e zmadhuar e prostatës ushtron presion të shtuar në uretrën dhe fshikëzën e urinës, gjë që rezulton në pamundësi për të mbajtur urinën.

2. Vështirësitë gjatë urinimit
PBZ (BPE) mund të vështirësojë aktin e urinimit. Rritja e presionit në uretër, mund të bllokojë rrjedhjen e urinës nga fshikëza, përmes penisit. Kjo mund ta bëjë të vështirë fillimin e rrjedhës së urinës dhe mund të shkaktojë një rrjedhje të dobët ose të ndërprerë të urinës, veçanërisht në fund të urinimit. Kjo nganjëherë quhet pikim i urinës.
3. Dhembja gjatë urinimit dhe ejakulimit
Presioni në sistemin riprodhues dhe traktin urinar nga PBZ, mund të rezultojë në dhimbje gjatë urinimit ose ejakulimit. Disa meshkuj kanë vështirësi gjatë nxjerrjes jashtë të urinës, gjë që mund të shkaktojë dhimbje. Dhimbja gjatë urinimit ose ejakulimit mund të ndodhë edhe për shkak të infeksionit, i cili është një ndërlikim relativisht i zakonshëm i ZBP.
4. Urinimi me gjak ose një ngjyrë ose erë e pazakontë e saj
Mbajtja e urinës mund të shkaktojë urinim me një ngjyrë më të errët dhe erë të pazakontë. Urina me erë të keqe është zakonisht shenjë e një infeksioni të traktit urinar (ITU-UTI). Gjaku në urinë, ose hematuria, mund të ndodhë si rezultat i venave të zgjeruara në sipërfaqen e një gjëndrreje të zmadhuar të prostatës. Gjaku i dukshëm në urinë, quhet hematuridhe kjo është shenjë alarmi, gjë që duhet menjëherë të lajmëroheni te mjeku.

5. Retencioni urinar
Nëse nuk mund të urinoni, është e rëndësishme të kërkoni kujdes të menjëhershëm mjekësor. Mjeku urolog do t iu sugjerojë katetrizimin, pra futjen e një tubi plastik, të njohur si kateter, në fshikëzën tuaj për të zbrazur atë, e cila gjatë kësaj kohe ka grumbulluar një sasi të urinës, por të cilën, për shkak të bllokimit nga ana e prostatës, s ka mundur ta nxjerrë jashtë. Në varësi të shkallës së bllokimit nga një prostatë e zmadhuar, mjeku juaj mund të rekomandojë kirurgji për të hequr prostatën në tërësi ( kirurgji e hapur) apo një rezekim të saj, kur prostata nuk është e madhe dhe nuk kërkon më shumë se një orë rezekim, për shkak të ashtuquajturit helmim me ujë, nëse zgjatë më shumë, në mënyrë që të arrihet kalimi i lirë i urinës, nëpër uretër.

6. Infeksionet e traktit urinar
Pamundësia për të zbrazur plotësisht urinën, nga fshikëza, përmes uretrës, mund të shkaktojë rritjen e baktereve në fshikëz. Kjo mund të shpie deri te një infeksion i traktit urinar (ITU). Këto infeksione mund të bëjnë që urina të errësohet ose të rezultojë me erë të keqe ose me gjak. Mjeku juaj mund të rekomandojë kirurgji për të hequr një pjesë të prostatës nëse keni UTI të shpeshta.

7. Gurët e fshikëzës urinare
Gurët e fshikëzës, si edhe ITU-të, zakonisht ndodhin për shkak të paaftësisë për të zbrazur plotësisht fshikëzën, e cila është një nga simptomat kryesore të një zmadhimi beninj të prostatës(PBZ-BPE). Gurët e fshikëzës janë gunga të forta mineralesh në fshikëz, që formohen kur urina në fshikëz bëhet shumë e përqendruar. Kjo bën që mineralet në urinë të kristalizohen. Këta gurë mund të shkaktojnë:
-infeksione të rënda;
-gjak në urinë;
-irritimi i fshikëzës;
-një bllokim i rrjedhës së urinës.

8. Dëmtimi i veshkëve dhe fshikëzës urinare
Fshikëza mund të shtrihet dhe dobësohet nëse nuk mund të zbrazet plotësisht. Kjo mund të bëjë që muri muskulor i fshikëzës të humbasë aftësinë e tij për t’u kontraktuar normalisht, duke e bërë më të vështirë zbrazjen e plotë të fshikëzës. Mbajtja e urinës për shkak të PBZ (BPE), gjithashtu mund të ushtrojë presion mbi fshikëzën, duke dëmtuar veshkët. Përveç kësaj, infeksionet që fillojnë në fshikëz mund të përhapen në veshkët, duke shkaktuar dëmtim të tyre.

Perspektiva për burrat me PBZ(BPE)
Nëse jeni duke përjetuar ndonjë nga simptomat ose komplikimet e PBZ-BPE-së, konsultohuni me mjekun tuaj menjëherë. Ata mund t’ju rekomandojnë drejtpërdrejt te një urolog. Para takimit tuaj, bëni një listë të simptomave dhe informacionit mjekësor, të tilla si kushtet ekzistuese mjekësore dhe medikamentet që po merrni, mbani shënime për zakonet tuaja urinare dhe shkruani çdo pyetje që keni për mjekun tuaj.
Shumica e meshkujve zbulojnë se trajtimet e zakonshme për ZBP-BPE-në, të tilla si kirurgjia, mjekimi me medikamentë përkatëse, mund të çojnë në zbutjen e simptomave të tyre. ZBP-BPE, mund të jetë i pakëndshëm dhe mund të çojë në komplikime, por ju mund të shmangni ose minimizoni simptomat dhe dëmtimin e fshikëzës dhe veshkëvave tuaja nëse merrni trajtim të hershëm.
Prof. Ass. Isa Haxhiu,dr. Sci. urolog

You cannot copy content of this page