Statistikat për muajin tetor, Kosova më shumë bleu në Serbi e shiti në Shqipëri

loading...


Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tregtinë e jashtme të mallrave të Kosovës tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 5.5 për qind në muajin tetor 2020 në raport me muajin e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 267.0 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 282.7 milionë euro në vitin 2019.

Eksporti mbulon importin me 15.9 për qind..

Në muajin tetor pati mbi 300 milionë euro import të mallrave ndërsa u eksportuan mallra në vlerë mbi 50 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2020 kishte vlerën 50.6 milionë Euro, ndërsa importi 317.6 milionë Euro, që është një rritje prej 56.6% për eksport dhe 1.0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 32.8 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 12.3 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11.0 për qind artikujt e ndryshëm të prodhuar, 9.0 për qind produktet bimore, 8.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.0 për qind produktet minerale, 5.4 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 12.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 11.5 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.3 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.5 për qind produktet minerale, 9.0 për qind mjetet e transportit, 9.0 për qind produktet e industrisë kimike, 7.2 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Mbi 16 milionë euro mallra Kosova i dërgoi në vendet e BE-së

Në muajin që shkoi, Kosova dërgoi mbi 16 milionë euro mallra drejt vendeve të Bashkimit Evropian, me partner kryesor Gjermaninë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 16.8 milionë euro, ose rreth 33.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.5%), Italia (7.5%), Holanda (3.6%), etj.”, bën të ditur komunikata.

Në anën tjetër, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 133.4 milionë euro, ose 42.0 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 16.8 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania 12.2 për qind, Italia 5.9 për qind, Greqia 3.1 për qind, Polonia 3.0 për qind, etj.

Kosova më shumë bleu në Serbi e shiti në Shqipëri

Eksportet e Kosovës drejt vendeve anëtare të CEFTA-s kishin vlerën e mbi 20 milionë eurove, ku si partner kryesor e kishte Shqipërinë

“Në muajin tetor 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 20.2 milionë euro, ose 40.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 41.0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (16.4%), Maqedonia e Veriut  (9.1%), Serbia (8.3%), Mali i Zi (4.3%)”, thuhet në komunikatë.

ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2020, arritën në 68.7 milionë euro, ose 21.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 52.7 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 7.3 për qind, Shqipëria 7.1 për qind dhe Maqedonia e Veriut 5.1 për qind.

Shkëmbimi i mallrave me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13.5 milionë euro, ose 26.8 për qind.

Sipas ASK-së, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra 9.4 për qind dhe SHBA 6.6 për qind.

Nga vendet tjera të botës, Kosova importoi mallra prej 115 milionë eurove.

“ndërsa, importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 115.5 milionë euro, ose 36.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.9%) dhe Kina (10.8%).”, njofton komunikata.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e statistikave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2020.



Related posts