Stërzgjatja e realizimit të punëve të infrastrukturës në Prishtinë

loading...


 

Vitin e fundit në komunën e Prishtinës vërehet një volum i shtuar i projekteve të ndryshme të infrastrukturës. Vendosja e një rrjeti të ri të kanalizimit apo shtrimi një rruge me asfalt është gjithmonë lajm i mirë. Kjo tregon përkushtimin e komunës se në përputhje me premtimet, kujdeset që infrastruktura të jetë në nivel.

Çka po vërehet gjatë punëve në infrastrukturë është – kohëzgjatja e tepërt dhe mungesa e informatave. Vetëm po të e marrim si shembull udhën e Dubrovnikut (nga MASH deri te universiteti Iliria) punët kanë filluar diku në Shkurt të këtij viti dhe akoma s’ kanë përfunduar. Kjo rrugë është e gjatë rreth 700 metra dhe për rregullimin e saj të duhen rreth 8 muaj është shumë. Shembuj të ngjashëm ka edhe në lagje tjera siç është shtrimi i udhëve në qytezën Pejton, ku po ashtu punët po zgjasin me muaj të tërë apo rregullimi i trotuareve/parkingjeve përballë qendrës tregtare në Bregun e Diellit dhe shumë e shumë lagje tjera anekënd Prishtinës.

Sa për ilustrim, në kohën deri sa është shtruar udha e Dubrovnikut me më pak se 1 km gjatësi, kompania Bechtel-Enka do t`i kishte ndërtuar rreth 15 km autostradë me 6 korsi, përfshi ura e mbikalime. Këto punë të stërzgjatura përpos që po shkaktojnë nervozë te qytetarët, po shkaktojnë edhe tollovi në komunikacion, zhurmë e pluhur.

Por pse po ndodhin këto vonesa? Kryesisht janë tri arsye. Arsyeja e parë është pandemia e cila për disa muaj e ka lënë të bllokuar sektorin e ndërtimit, si edhe shumë sektorë tjerë. Kjo edhe i arsyeton disa muaj vonesë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me mungesën e përgatitjes së mirëfilltë të terrenit për investime nga institucionet. Këtu hyjnë: vonesat e shpronësimeve, planifikimet dhe zotimet buxhetore të pabazuara në plane komunale, mungesa e komunikimit në mes të nivelit qendror dhe lokal, plane dhe dizajne të pa detajuara dhe të paqarta, etj. Këtu është shumë me rëndësi të përmendet edhe mungesa e komunikimit të duhur në mes të kompanive të ndryshme. P.sh. Hapja e kanaleve për nxehje qendrore nga Termokosi duhet të sinkronizohet me planet e komunës për rrugë, të KEDS-it për vendosjen e rrymës apo të ujësjellësit për vendosje të rrjetit të ri të ujit. ndërsa arsyeja e tretë ka të bëjë me ligjin për prokurim publik. Për të zgjedhur një kompani për kryerjen e ndonjë pune, institucionet e zbatojnë procesin e prokurimit publik. Në vija të trasha ky proces duket kështu: fillon me verifikimin e kapaciteteve teknike të kompanive (përvoja, plani dinamik, kapacitetet teknike dhe njerëzore, garancionet e ndryshme, etj). Pas kapërcimit të kësaj faze me automatizëm fiton kompania e cila e ofron çmimin më të ultë. Këtu edhe qëndron problemi. Kompanitë në Kosovë s’ e kanë shumë problem ta kalojnë pjesën teknike, duke marr parasysh se mund të hyjnë në partneritet me kompani tjera. Por për të fituar punë duhet që patjetër të jenë më të lirët. Me këtë logjikë, kompanitë shumë shpesh ofrojnë çmime aq të ulëta saqë s’ mund të i mbulojnë as investimet fillestare. Si pasojë kemi vonesë në punë por edhe ulje drastike të kualitetit. Për punët e ndjeshme siç është shtrimi i udhëve brenda në qytet një ndër faktorët kryesorë për përzgjedhje të kompanive duhet të jetë plani dinamik. Kompanitë që ofrojnë që punët të i kryejnë më shpejtë por duke mos e rrezikuar kualitetin duhet të kenë përparësi në përzgjedhje në krahasim me çmimin e ofruar. Kjo lejohet me ligjin për prokurim publik. Në anën tjetër monitorimi i kualitetit dhe dinamikës së kryerjes së punëve duhet të përcillet me rigorozitet të madh nga institucionet e Kosovës.

Gjatë nënshkrimit të kontratave me kompanitë fituese duhet të specifikohet qartë dinamika gjegjësisht afatet për përfundim të punëve. Pas përfundimit të afatit kohor, kompanitë ndërtimore që s’ arrijnë të prezantojnë arsyetim të duhur për vonesa, duhet të gjobiten dhe këtu s’ guxon të ketë pardon. Kjo do ta rris në masë të madhe përgjegjësinë e kompanive të cilat do të kenë kujdes të madh gjatë aplikimit në të ardhmen.

Dhe për fund, të gjitha komunat e Kosovës e veçanërisht komuna e Prishtinës duhet t`i postojnë punët ndërtimore të cilat planifikohen të realizohen me para publike dhe sidomos  punët e infrastrukturës. Kjo e rrit transparencën e komunave por edhe i mundëson qytetarëve të planifikojnë lëvizjet duke e ditur se kur dhe për sa kohë do të bllokohen udhët.

 

 

 

 

 



Related posts