Rrëfimi i të mbijetuarit të masakrës në Rezallë


Ismet Rukolli, është i mbijetuari i vetëm i gjallë i masakrës në fshatin Rezallë të Skenderajt, ku mbetën të vrarë 98 civil.

Me trauma të masakrës, Rukolli akoma s’ ka arritur që të bindë veten që të shkoj të jap dëshminë në Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Beograd, pasi që s’ ndihet i sigurt, ndërsa në Prokurorinë Kosovës s’ është ftuar të rrëfehet si dëshmitar deri më sot.

“Në fakt dëshmi kam dhënë shumë sidomos pjesa pas luftës, s’ ka shkuar ditë që s’ ka pasur televizone, por ka pasur edhe që janë preznatuar si KFOR, nga Tribunali i Hagës, UNMIK, EULEX, çdokush që ka qenë i interesuar për t’i dhënë dëshmi unë kam qenë i hapur”, tregon Rukolli.

Rukolli për KALLXO.com ka rrëfyer se s’ ka pranuar që të jap dëshminë e tij në Gjykatën në Beograd pasi që s’ është ndjerë i sigurt.

“s’ kam qenë në asnjë proces gjyqësor dhe s’ kam informacion Vetëm po të dikur është dënuar për masakrën e Rezallës, s’ e di pse, mua para tri viteve më kanë kërkuar që të jap dëshmi në Gjykatat e Serbisë, EULEX-i në Fushë Kosovë, kam shkuar dhe më kanë thënë të jap dëshmi, por unë s’ i kam besuar Gjykatave të Serbisë, për arsyje se aparati shtetror i Serbisë i ka kryer krimet, dhe s’ kam qenë në gjendje që gjakun e të vrarëve këtu me dërgu në Gjykata e Serbisë, kur ne e dimë kush janë ata, dhe ju kam thënë se çfarëdo gjykate tjetër s’ është problem jap dëhsmi, por jo në Serbi”, thotë Rukolli.

Rukolli arrin që të përshkruaj me saktësi personin i cili për të dytën herë qëlloi me kallashnikovë mbi viktimat për t’u siguruar se të gjithë ishin të vdekur.

“Na kanë sjellë në këtë pjesën këtu dhe ata kanë qenë në rrugë, edhe dy prej ushtarëve na kanë sjellë këtu ndërsa diku 20-30 të tjerë kanë qenë në rrugë. s’ ka zgjatur shumë 3 -4 minuta dhe kanë filluar të gjuajn mbi ne, në ato momente kur kanë filluar unë kam rënë për tokë, axha i babës, Jonuzi ka rënë sipër meje. Gjatë kohës sa kanë gjuajtur unë jam plagosur në dorë dhe shpinë, gjithashtu kur kam rënë më kishte qëlluar plumbi në faqe, që e kam pasur për një kohë të enjtur, ngase kam marr infeksion. Të gjuajturat kanë zgjatur 30 minuta, deri sa ata kanë menduar se s’ ka më persona të gjallë”, rrëfen Rukolli.

Rukolli rrëfen se si ushtari serb, i cili gjuante me automatik të gjithë personat të cilët ndodheshin në rresht, e kishte harruar atë.

“Pas asaj kohe, ka ardhur njëri prej ushtarëve, me automatik dhe ka filluar rend rreshtit me automatik, kur ka ardhur tek unë, duke e ndërruar karikatorin në hap e sipër më ka kaluar, pastaj janë larguar, unë kam qëndruar rreth dy orë nën kufoma, ngase kam menduar se akoma janë këtu, derisa i kam dëgjuar dy të plagosur, Pajazit Kelmendi dhe Misin Deliu duke biseduar mes vete, dhe kur i kam dëgjuar e kam ditë se s’ ka këtu ushtar, dhe jam ngritur dhe kam dal poshtë, edhe jam ndaluar aty tek kroni”, rrëfen Rukolli.

Rukolli tregon se tani ai është dëshmitari i vetëm i cili ka mbetur gjallë nga kjo masakër.

“Nga kjo masakër kemi shpëtuar tre persona, unë, Misin Deliu i cili para dy viteve ka humbur jetën, dhe Sadri Gashi, të cilin pas dy jave e kanë zënë me vëllain e tij dhe e kanë vrarë”, tregon Rukolli.

Dokumentarin e plotë të KALLXO.com mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.

 



Related posts