Tmerret e masakrës në Poklek

loading...


Në një dokumentar të KALLXO.com për masakrat në vendin tonë në luftën e fundit më 1999, është folur edhe për masakrën e fshatit Poklek të Drenasit.

Në fshatin Poklek kanë mbetur të vrarë 54 persona, me 17 prill të vitit 1999.

Sipas të mbijetuarve, nga 54 viktimat e kësaj masakre, 24 prej tyre kanë qenë fëmijë nën moshën 18 vjeçare.

Trupat e vdekur në këtë masakër u grumbulluan dhe u dogjën në një shtëpi të fshatit për të zhdukur gjurmët e krimit, i cili gjë në sy të dëshmitarëve.

Leotrim Carraku, i cili sot është 31 vjeçar kujton momentet kur famljarët e tij u vranë , ai shpëtoi duke u strehuar nën trupin e vëllait të tij të vdekur.

“Nana jem, dy vëllezërit, gruaja e axhit, këta të tjerët janë dajtë. Këta janë të varrosur të gjithë në një varr, përderisa i kanë djegur dy herë e pastaj eshtrat s’ kanë pasur mundësi që t`i ndajnë”, rrëfen Carraku.

Ai për KALLXO.com ka rrëfyer çdo detaj i cili ka ndodhur ditën e 17 prillit në Poklek të Drenasit.

“Unë kam mbijetuar në këtë masakër e cila ka ndodhur me 17 prill në vitin 1999, unë jam nga Dobroshevci, këta i kam dajë. Një natë më herët ne kemi ardhur këtu, përderisa fshati jonë ishte rrethuar me forca sebe dhe ne u detyruam me ardh këtu. Unë kam qenë 9 vjeçar dhe me datën 17 prill në mëngjes jemi grumbulluar e gjithë familja, dhe atë ditë ka qenë duke rënë shumë shi, dhe jeni nisur për të shkuar në Drenas. Kur kemi arritur te xhamia kanë qenë forcat serbe edhe na kanë thënë se duhet të kthehemi, dhe kanë gjujtur përpjetë, ne jemi kthyer”, rrëfen Carraku.

Ai tutje ka rrëfyer se si forcat serbe kanë bllokuar shtëpinë në të cilën ndodheshin të gjithë.

“Kur jemi kthye vendosëm me ardh në këtë shtëpi, edhe jemi ardh, domethënë forcat serbe kanë qenë të stacionuar në pjesën tjetër, dhe na kanë vërejtur se ne jemi këtu. Pasdite dy persona kanë ardhur këtu , Sinani me Imerin kanë dal me fol me të, edhe kanë thënë me i largu jashtë të gjithë. Me sa më kujtohet kemi dalur jashtë pastaj na thanë me u kthy prapë brenda. Sinanin e Imerin i kanë marrë dhe i kanë qu në pjesën poshtë”, rrëfen ai.

“Ne u ngritëm në këmbë se s’ e dinim se çka po ndodhë, dhe kur kanë gjuajtur që i vranë ata poshtë, kanë filluar të bërtasin këtu përderisa e dinim se i kanë vrarë. Ka ardhur njëri prej poshtë shpejtë, dhe i ka gjuajtur dritaret e koridorit që mos me pas mundësi ne me dal jashtë, dhe ka ardhur këtu, na kemi qenë të gjithë këtu, dhe ka thënë me mbyllë derën, edhe e ka mbyllë derën, e ka gjujtë një bomë me gaz, dhe pastaj pasi që ka shpërthyer bomba, dhe në ato momente Lumja si rrëfehet e ka thyer ajo dritaren dhe ka dalur, tash kur ai ka hy e ka parë, e ka plagosur në këmbë, por ajo ka qëndruar në pjesën e shtëpisë poshtë dhe më pas ka dalur prapa shtëpisë dhe është larguar”, tregon i mbijetuari i masakrës në Poklek.

“Kur ka shpërthyer bomba e di që më janë gjuajtur shumë topa përmbi, dhe më kishte humbur vetëdija,por pas një kohe më është kthyer vetëdija, dhe e pash duke gjuajtur, i ka rrotullu, i ka shkelë, por unë e kisha pasur kokën e vëllait përmbi kokën time, ata e kishte qëlluar plumbi në kokë dhe mua më kishte mbuluar gjaku i tij, ai ka gjuajtur aq sa ia ka marrë menja dhe ka menduar se i ka mbytur të gjithë”, rrëfen Carraku.

Carraku ka rrëfyer se më pas, të mbijetuarit janë larguar nga shtëpia, ndërsa Serbët i kanë vënë flakën shtëpisë.

“Kur i kanë djegur dy herë kanë mbetur gjurmë, ata janë të vorrosur në një varr, krejt janë munduar që me i zhdukë gjurmët. Dy kufoma që kanë qenë jashtë shtëpisë i kanë gjuajtur në bunar, këtu janë munduar gjithçka me zhdukë por pastaj në mbramje kanë ardh i kanë futë në qese dhe i kanë larguar eshtrat”, tregon Carraku.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.

 



Related posts