Turizmi malor – Rriten investimet pavarësisht kufizimeve të pandemisë

loading...


Gëzim Olaj, prej 25 vitesh, ndan jetën mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Në vitin e pandemisë të pandemisë, kur bizneset që ka në Britani janë mbyllur apo kufizuar për shkak të situatës, ka vendosur që forcat t’i përqendrojë tek investimi i tij në Qafën e Thores. Është një kombinim strukturash me shtëpiza, ku katër prej tyre janë me kapacitet akomodues gjashtë persona dhe tetë të tjera me nga dy shtretër. Në total, kapaciteti akomodues është 40 shtretër. Teksa mbërrin tek “Buni i Bajraktarit”, siç është pagëzuar struktura, sheh se punimet po vazhdojnë.

“Kam lindur në fshatin Bogë, te shtëpia e Bajraktarit dhe prona ku kam investuar është e familjes sime. Prej rreth 9 vitesh kam investuar në këtë zonë, duke u rritur gradualisht. Kam bërë një kombinim mes turizmit malor dhe agroturizmit në zonë, duke pasur si synim nxitjen e të rinjve që të mos largohen nga Shqipëria, përderisa mund të krijohen kushtet që të jetojnë edhe në këtë zonë shumë mirë” – pohon ai. Gjithçka në këtë zonë, që është kthyer në një prej pikave më të njohura në rrjetet shoqërore, nisi me ndërtimin e një lokali druri ku shërbeheshin ushqimet bio të zonës dhe më pas, çdo vit ka vazhduar me zgjerim sistematik të aktivitetit.

“Para dy vjetësh kam krijuar fermën time të dhive, që konsiston në 500 krerë dhi të racës autoktone të Thethit dhe të Hasit. Jam i kualifikuar si veteriner, Zgjedhja s’ ka qenë rastësore që të jenë racë autoktone, duke synuar të jenë sa më të egra, jo me regjim stallor, por që kullosin në lartësinë 2200 metra mbi nivelin e detit e për rrjedhojë, kecat e bulmetrat janë bio. Që në fillim e kam menduar të ishte një cikël i mbyllur brenda biznesit, pra nga ferma e perimet tek restoranti e më pas shtëpizat që jepen për fjetje” – na tregon ai.

Jo shumë larg nga Qafa e Thores, ku ka ngritur këtë strukturë, na pohon se po ngre një tjetër që do të jetë një resort malor ku projekti parashikon një pistë skish. Në lidhje me fermën mendon se do të zgjerojë investimin edhe me një baxho, dhomë tharje të mishit sipas traditës. Por cilët janë turistët që vizitojnë strukturën aktuale?

“Zakonisht vijnë polakë, çekë, gjermanë, izraelitë dhe së fundmi, edhe anglezë dhe amerikanë. Ne punojmë nga muaji maj e deri në tetor-nëntor zakonisht, mirëpo për momentin nga viti që vjen, do të mbajmë hapur strukturën edhe në dimër, përderisa po krijojmë kushtet e nevojshme. Po qe se flasim për 2020-n, mund të themi se ka qenë i vështirë, për shkak të pandemisë dhe në kohën e karantinës e kufizimeve, s’ ka pasur turistë. Por nga korriku e më pas gjithçka ndryshoi.

Kanë qenë turistët shqiptarë që pëlqejnë natyrën e aventurën. Sigurisht, një pjesë kanë ardhur, edhe përderisa s’mund të ikin dot jashtë. Po qe se bëjmë një bilanc, mund të themi se për nga qarkullimi, kemi qenë thuajse njëlloj me 2019-n më parë, pasi mungesën e të huajve e kanë kompensuar turistët vendas” – thekson Olaj.

Ai shprehet i kënaqur që ka gjithmonë e më shumë vëmendje për zonat malore dhe se shqiptarët, të cilët i vizitojnë për herë të parë, rikthehen. Në këtë mënyrë, edhe bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, bëhen më të përgjegjshëm për rritjen e cilësisë dhe shërbimit.

“Mendoj se jemi në pikën më të lartë ku shërbehet në Shqipëri, që është Qafa e Thores, me 1720 metra lartësi. Kjo qafë po kthehet në një pikë referimi për panoramën” – shprehet ai. Lidhur me planet në vijim na tregon se për momentin shfrytëzon 3 hektarë tokë për fermën dhe serat. Ndërkohë po aplikon për të përfituar nga fondet që jepen përmes programeve të qeverisë për një stallë lopësh, një derrash dhe një tjetër për kuaj.

“Mendojmë që të kemi të paktën 20 kuaj në funksion të agroturizmit, por edhe si një formë transporti apo shëtitjeje për moshat e treta, që e pëlqejnë turizmin e aventurës, por e kanë të pamundur të përballojnë terrenin sfidues në këmbë. Edhe në këtë rast, do të jetë një racë autoktone e kalit të shalës, siç e ka tradita e këtyre anëve” – pohon Olaj.

s’ është rastësi investimi i përgjithshëm që ka bërë në turizëm. Edhe në Britani, një prej bizneseve është një agjenci udhëtimi, e cila viteve të fundit ia ka dalë të sjellë në Shqipëri chartera të tërë me turistë britanikë.

“Para pandemisë kishte herë pas here chartera nga Anglia për në Shqipëri. Më 12 mars, kur u vendos karantina, kam qenë duke programuar charterat e radhës drejt Shqipërisë, por tashmë gjithçka ka ndalur. Mendoj se tani do të na duhen 3-4 vjet për të ardhur në pozicionin që ishim para marsit 2020. Turistët anglezë e duan shumë natyrën e ashpër të Alpeve dhe Bjeshkëve. Ju pëlqen shumë pamja e këtyre zonave. Madje një nga aspektet më interesante që përmendin është vëzhgimi i yjeve, të cilat duken qartë natën. Ata pëlqejnë edhe ushqimet bio. Zgjedhin që të gërshetojnë qëndrimin në pika të ndryshme në Shqipëri, por 3-4 ditë i duan në mal” tregon ai./Burimi: Monitor

Related posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *