U dënua se ishte pa maskë në veturë, Policia shfuqizon vendimin

loading...


Pasi ishte gjobitur nga zyrtarët policorë për shkak të mosmbajtjes së maskës kundër COVID-19, gjatë qëndrimit të tij i vetëm në veturë, Besim Kodra nga Suhareka e kishte kundërshtuar këtë gjobë.

Kundërshtimi i qytetarit u vlerësua si i bazuar nga ana e komisionit brenda Policisë së Kosovës, i cili vendosi që qytetarit t’i hiqet dënimi.

Këtë e ka bërë të ditur Kodra përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, të mërkurën.

Në bazë të vendimit të PK-së, është shfuqizuar vendimi i kundërshtuar i datës 26 tetor 2020, i marrë nga zyrtarët policorë.

Krahas kësaj, janë urdhëruar njësia e stacionit policor veriu në Prizren që ta anulojë fletëparaqitjen.

“Një komision brenda Policisë së Kosovës ka aprovuar KUNDËRSHTIMIN tim ndaj dënimit për mos-vendosje të maskës në veturë. Kjo sepse kam qenë vetëm në veturë dhe s’ kam pasur obligim mbajtjen e maskës! Ashtu siç e kam cekur edhe në postimin e më hershëm … s’ mund të ketë kundërvajtje Po qe se s’ rrezikohet objekti i mbrojtur juridik, në këtë rast njeriu”, ka shkruar Kodra.

Qytetarët disa herë janë ankuar në KALLXO.com se po dënohen për shkak të mosmbajtjes se maskës gjatë kohës sa janë të vetëm në automjete.

Ligji për pandeminë COVID-19 thotë se personi fizik i cili s’ respekton  vendimin e organit kompetent për mbajtjen e maskës dënohet me gjobë prej 35 euro, por s’ specifikohet se në çfarë rrethanash gjobitet një vozitës pa maskë.



Related posts