Sun. May 22nd, 2022
© Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
Kuptimi i fjalës

Kuptimi i fjalës Ushqej

Çka është Ushqej ?

USHQEJ kal.

  • 1. I jap për të ngrënë një njeriu a një kafshe, i jap ushqim; i fut ushqimin në gojë dikujt që nuk mundet ose nuk di të hajë vetë. Ushqen fëmijën. Ushqen të sëmurin. Ushqen qenin (macen). E ushqen me të gjitha të mirat.
  • 2. I jap gji foshnjës ose të voglit. E ushqen me gji. Ushqeu foshnjën.
  • 3. I jap lëndët e nevojshme një organizmi ose një pjese të tij për t’u mbajtur gjallë e për t’u zhvilluar. Toka ushqen bimët. Buka na ushqen. Ushqen trurin (mushkëritë) me gjak.
  • 4. I siguroj dikujt mjetet e nevojshme për jetesë, e mbaj me të ardhurat e mia dikë; shërben si burim i mjeteve për të jetuar. Ushqen familjen. Ushqen gruan dhe fëmijët. E ushqen zanati. Toka nuk i ushqente dot. Ka shumë fëmijë për të ushqyer.
  • 5. Bëj që të shëndoshet e të majmet duke i dhënë ushqim të bollshëm, mbaj për mish, majm. Ushqeu një derr (një dash). Ushqen gjelin e detit. E ushqen për ta therur.
  • 6. I jap diçka të nevojshme që e vë në lëvizje ose me të cilën punon, furnizoj me lëndë të parë diçka (për një mekanizëm, makinë, fabrikë,etj.); shërben si burim për të punuar a për t’u plotësuar. Ushqen lokomotivën (makinën). Ushqej zjarrin. E ushqen me dru (me qymyr). E ushqen me rrymë elektrike. I ushqen me lëndë të parë. Lumi ushqen liqenin.
  • 7. fig. I jap vazhdimisht diçka që e ndihmon të brumoset të rritet a të zhvillohet; edukoj, rrit me diçka. I ushqen me letërsi. E ushqeu me ide përparimtare. E ushqen urrejtjen klasore. I ushqen me gjak të ri.
  • 8. fig. Nxit a përkrah diçka, bëj që të zhvillohet më tej (një ndjenjë, një mendim etj.); shërben si bazë për t’u zhvilluar më tej. I ushqen dashurinë (dëshirën). Ushqen sedrën (mërinë …). Ushqen kureshtjen. I ushqen ëndrrat (shpresat, iluzionet). I ushqen besimin (optimizmin). Ia ushqen mosha. Ia ushqen fjalën (bisedën, mendimin) i shkon pas fjalës (bisedës, mendimit), i jep të drejtë dhe e nxit të vazhdojë.
  • 9. Kam dhe ruaj në vetvete, provoj për një kohë të gjatë një ndjenjë të caktuar, për dikë a për diçka; kam dhe ruaj në mendjen time një ide, një mendim, një qëllim të caktuar. Ushqen dashuri për shokët. Ushqen shpresa shpreson. Ushqen mosbesim.