Ushtarët italianë të KFOR-it përkrahin qendrat e mjekësisë familjare në Kaçanik dhe Han të Elezit

loading...


Qendrat e mjekësisë familjare në Kaçanik dhe në Hanin e Elezit kanë pranuar sot nga kontingjenti ushtarak italian i KFOR-it disa pajisje mjekësore, përfshirë elektrokardiografe digjitale, defibrilatorë dhe makina të oksigjenit.

KFOR-i ka bërë të ditur se kjo nismë u financua nga Ministria Italiane e Mbrojtjes me synim të rritjes së aftësive të dy qendrave mjekësore të cilat ofrojnë kujdes shëndetësor për 45 mijë persona që jetojnë në ato dy komuna.

“Javën e kaluar ushtarët italianë të KFOR-it rehabilituan gjeneratorin e oksigjenit mjekësor në spitalin e Prizrenit. KFOR-i dhe kombet që kontribuojnë me trupa po zbatojnë një numër të projekteve të asistencës në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në përkrahje të reagimit lokal ndaj Covid-19, nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të KFOR, që nga shpërthimi i pandemisë, misioni i udhëhequr nga NATO-ja ka siguruar pajisje mbrojtëse personale për institucionet shëndetësore në Kosovë, ndërsa ka lehtësuar shpërndarjen e ndihmës nga shtetet aleate dhe partnere, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Turqinë dhe Austrinë.



Related posts