Ushtria turke sheh mundësi ndikimi tek vendet e varfëra dhe të shkatërruara nga lufta


Një vendim i qeverisë turke në fillim të këtij muaji për të kthyer përsëri monumentin historik të Shën Sofisë në Stamboll, në një xhami pasi shërbeu si muze për më shumë se 80 vjet, ka rindezur debatin mbi drejtimin e vendit mysliman, me disa ekspertë që thonë se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, me anë të politikave të tij ekspansioniste brenda dhe jashtë vendit, është duke u përpjekur të ringjallë një Perandori të re Osmane.

E ndërtuar në vitin 567, Shën Sofia ka qënë një kishë e madhe e besimi të krishterë derisa një sulltan i shekullit të 15-të e shndërroi atë në xhami. Në vitin 1935, themeluesi laik i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, e ktheu ndërtesën bizantine në një muze për ta vizituar të gjithë.

Megjithë kritikat nga mbarë bota, Shën Sofia mbajti të premten shërbimin e parë të lutjeve. Me një feste në kokë, Erdogani mori pjesë në shërbimin fetar ku recitoi vargje nga Kurani. Më pas ai e quajti shndërrimin e ndërtesës në xhami, arritjen e tij të madhe dhe “rilindjen e kombit tonë”.

“Erdogani e sheh veten si udhëheqësi e botës myslimane,” i tha Zërit të Amerikës David Phillips, drejtori i Programit për të Drejtat dhe Ndërtimin e Paqes në Universitetin e Kolumbias.

Jashtë Turqisë, udhëheqësi me pikëpamje islamike po ndjek një politikë ekspansioniste, thotë zoti Phillips.

Presidenti turk RexhepTajip Erdogan jep një fjalim në Ankara më 21 korrik, 2020

Presidenti turk RexhepTajip Erdogan jep një fjalim në Ankara më 21 korrik, 2020

“Nën pretekstin e luftës ndaj terrorizmit, ai ka vepruar kundër kurdëve në Siri dhe Irak dhe ka përdorur ushtrinë e tij për të zgjeruar ndikimin e Turqisë në Libi,” tha zoti Philips.

Nga Siria e shkatërruar e deri tek rajoni i kurdëve të bllokuar në Irakun verior, nga Katari i pasur me naftë e deri tek vendet e varfëra të Afrikës lindore dhe perëndimore, nga Ballkani e deri në një Libi praktikisht të copëzuar, vëzhguesit vërejnë një rritje të ndërhyrjeve ushtarake turke, të pa parë që nga shembja e Perandorisë Osmane, gati një shekull më parë. Shumë prej tyre shtrojnë pyetjen Në qoftë se Erdogani po përpiqet të përmbush ambicjet e tij të deklaruara hapur për të zgjeruar praninë ushtarake të vendit të tij në botë.

“Unë do të thoja se Erdogani ka një ‘mini” perandori, i tha Zërit të Amerikës Soner Cagaptay, autori i librit, Perandoria e Erdoganit: Turqia dhe Politika e Lindjes së Mesme.

“s’ është perandoria që ai mendoi se do të kishte meqenëqë s’ është përfundimisht një perandori e Lindjes së Mesme, dhe as një perandori që ka mbështetjen e Perëndimit,” tha zoti Cagaptay.

Në shumicën e rasteve, trupat turke janë të mirëpritura nga qeveri që përballen me kërcënime serioze të brendshme ose të jashtme. Por sipas analistëve, në disa raste, turqit kanë ndërhyrë për të ndjekur objektivat e tyre pa marrë parasysh kundërshtimet e qeverive pritëse.

Zgjerimi ushtarak, i pasuar shpesh me mundësinë e investimeve për firmat turke, ka irrituar aleatët e Amerikës në Evropë dhe botën arabe edhe kur Uashingtoni shfaqet si një vëzhgues më neutral, thonë analistët.

Siria dhe Iraku

Grupet e të drejtave e akuzojnë Turqinë dhe përfaqësuesit e saj për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut si në Siri ashtu edhe në Irak.

Megjithatë, Turqia i mohon pretendimet se forcat e saj kanë kryer krime kundër civilëve. Ankaraja thotë se operacionet e saj të vazhdueshme ushtarake brenda Irakut dhe Sirisë janë akte të vetëmbrojtjes kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) me qendër në Turqi dhe Njësive të Mbrojtjes Popullore (YPG) me qendër në Siri.

“Është terrori nga PKK / YPG nga i cili po vuajmë gjithashtu,” i tha Zërit të Amerikës Gulnur Aybet, një këshilltar i lartë i Erdoganit, në një diskutim online të Këshillit Atlantik javën e kaluar.

kurse Uashingtoni i ka kërkuar Ankarasë të mos sulmojë YPG-në, një partner efektiv i amerikanëve kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, SHBA-të kanë qenë mbështetëse ndaj luftës turke kundër PKK-së, e cila është shpallur si një grup terrorist si nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja.

Të dy qeveritë, Irakiane dhe siriane kanë dënuar ndërhyrjet turke, duke i parë ato si shkelje të sovranitetit të tyre. Pavarësisht kundërshtimit, Turqia thotë se s’ ka në plan të tërheqë trupat e saj nga Iraku dhe Siria në ndonjë kohë të afërt.

Duke folur për praninë turke në Siri javën e kaluar, Erdogani tha: “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë vend derisa fqinji dhe vëllai ynë njëmijëvjeçar, populli sirian, të arrijnë lirinë, paqen dhe sigurinë”.

Në Irakun verior, kompanitë turke investojnë masivisht në sektorët e naftës, bankave dhe ndërtimeve.

Hapja ndaj Afrikës

Në Afrikë, zoti Erdogan ndërmori në vitin 2005 Politikën për Hapje nga Afrika, kur Turqia filloi të forconte lidhjet ushtarake dhe ekonomike me shumë vende të atij kontinenti.

Në vitin 2017, kur Somalia po sulmohej nga grupi terrorist al-Shabab, një degë e al-Kaidës, Turqia ngriti bazën më të madhe ushtarake jashtë vendit në Mogadishu, ku filloi të stërviste ushtarë somalezë.

Angazhimi turk në Afrikë shkon përtej sektorit të armatosur. Turqia ka hapur dhjetra ambasada në Afrikë. Aktualisht ka 42 ambasada, një zgjerim i konsiderueshëm që nga viti 2003, kur kishte vetëm 12.

Në vitin 2018, vëllimi i tregëtisë së Turqisë me këtë continent, arriti në më shumë se 23 miliardë dollarë, nga 5 miliardë që ishte në vitin 2003.

Por duke zgjeruar ndikimin në Afrikë, Turqia duket se ka rigjallëruar dyshimet e kahershme që kishte pasur bota arabe.

“Një shekull retorikash nacionaliste arabe e ka përshkruar Perandorinë Osmane si një fuqi perandorake shtypëse”, i tha Zërit të Ametrikës, Merve Tahiroglu, koordinatore për Turqinë në Projektin për Demokraci në Lindjen e Mesme, me bazë në Uashington.

“Sot, kur zoti Erdogan vazhdimisht bën referenca ndaj historisë osmane, kurse ndjek politika që kërcënojnë interesat e udhëheqësve arabë, është e kuptueshme që ata do t’i drejtohen kësaj kujtese”, tha Tahiroglu said.

 Konflikti turko-arab

Në vitin 2015, Turqia vendosi një bazë ushtarake në Katar, e para e këtij lloji në Lindjen e Mesme që nga rënia e Perandorisë Osmane. Lëvizja erdhi një vit pasi Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, i kishin tërhequr ambasadorët e tyre nga Katari.

Në vitin 2017, kur përplasja diplomatike e Gjirit Persik, ishte përkeqësuar duke u kthyer në një bllokadë ekonomike nga Arabia Saudite dhe disa nga aleatët e saj kundër Katarit, Turqia dërgoi trupa të tjera në Katar për të shkurajuar ndonjë sulm të mundshëm ushtarak ndaj aleatit të saj.

Megjithatë duket se asgjë s’ e ka ndezur më shumë zemërimin e vendeve arabe, sesa lëvizja e fundit e Turqisë për të dërguar trupa në Libinë e pasur me naftë.

Trupat turke muajt e fundit e kanë kthyer kahjen e luftës së Libisë në favor të Qeverisë për Marrëveshje Kombëtare, kundër forcave të kryekomandantit Khalifa Haftar, që janë të mbështetura nga Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Javën e kaluar, parlamenti i Egjiptit autorizoi dislokimin e trupave në Libi kundër Qeverisë për Marrëveshje Kombëtare, duke bërë që Kombet e Bashkuara të paralajmëronin për “një rrezik të madh” për luftë rajonale.

“Në Libi, Turqia ka shumë objektiva”, thotë zoti Cagaptay, autori i librit “Perandoria e Erdoganit”.

“Turqia po përpiqet që të sigurojë që qeveria aleate e Ankarasë të mos përmbyset në kryeqytetin Tripoli, meqenëqë Turqia do që të mbledhë borxhet e kohës së Gadafit që kapin miliarda dollar dhe do gjithashtu që të jetë pjesë e rindërtimit të Libisë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Tensionet në rritje mes Presidentit Erdogan dhe Presidenti egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi, ka të bëjë gjithashtu edhe me diferencat ideologjike, thotë zoti Cagaptay.

“Erdogani është islamisti politik që burgosi gjeneralët laikë. Sissi është gjenerali laik që burgosi islamistët politikë”, tha ai, duke shpjeguar konfliktin mes dy udhëheqësve lidhur me ndikimin e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt dhe më gjerë në rajonin arab./VOA



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Corona-Lockdown: Kinder verbringen deutlich mehr Zeit mit Computerspielen

Thu Jul 30 , 2020
Im Corona-Lockdown mussten sich Kinder und Jugendliche viel in den eigenen vier Wänden beschäftigen. Eine Studie zeigt: Um sich ihre Langeweile zu vertreiben, zog es viele zu digitalen Spielen und sozialen Medien. Die Politik will nun die Medienkompetenz stärken. Geschlossene Schulen, Ausgangsbeschränkungen und fehlende Freizeitangebote: Während des sogenannten Corona-Lockdowns haben […]
Biermann Medizin