Vjosa Osmani mund të ushtrojë edhe pozita partiake

loading...


Këshilltari politik i ushtrueses së detyrës të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Faton Peci, ka deklaruar se debati që po zhvillohet në lidhje me aspektet kushtetuese në relacion me postin e u.d. të presidentes së vendit ka marrë konotacion fushate.

Duke përmendur një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, Peci ka theksuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit politik s’ është në papajtueshmëri me Kushtetutën e vendit.

“Njëkohësisht është sqaruar se u.d. i Presidentit mund të ushtrojë edhe pozita partiake, meqë në atë pozicion, pra si U.D. i Presidentit është vetëm përkohësisht”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky reagim i Pecit ka ardhur pasi njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, ka deklaruar në RTV 21 se Kushtetuta e përcakton se presidenti s’ mund të ushtrojë funksion politik tjetër.

“Do të citoj nenin 88, paragrafin e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në të cilin thuhet ‘presidenti/presidentja s’ mund të ushtrojë funksion politik tjetër gjatë periudhës që është shef i shtetit, që i bie se s’ mund ta ushtrojë efektivisht”, ka thënë ai.

ndërsa, Peci ka shtuar se nga aspekti juridik, u.d. e presidentes, e njëkohësisht kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani – Sadriu, ka të drejtë të ushtrojë mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtrojë pozitën e presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese.

“U.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese”, thuhet mes tjerash në publikimin e tij.

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, institucionet e Kosovës do të duhet të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit brenda gjashtë muajve, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Faton Pecit në Facebook:

Sqarim

Debati që po zhvillohet gjithandej në lidhje me aspektet kushtetuese në relacion me postin e u.d. të Presidentes së vendit, ka marrë konotacion fushate.

Është bërë trend që për aspekte kushtetuese, të dominojë qëndrimi i një ish-ligjëruesi të së drejtës afariste, fushë kjo që s’ ka asgjë të përbashkët me njohuri të cështjeve kushtetuese.

Kjo qasje juridike, përveç se është e gabuar, është edhe tendencioze ngaqë po injorohen edhe vet Kushtetuta e vendimet e gjykatës kushtetuese.

Lidhur me çështjen kur në krye të shtetit është një u.d. Presidente apo President, ka vendosur Gjykata Kushtetuese si në vitin 2010, në kërkesën e parashtruar në atë kohë nga U.D. Presidenti Jakup Krasniqi, për të sqaruar Po qe se i lejohet të mbajë pozicione partiake e politike përderisa është UD President. Pra, në aspektin juridik kjo është një çështje krejtësisht e qartë dhe pa asnjë dilemë të vetme juridike. Ndër të tjera, në këtë aktgjykim është konstatuar se mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ushtrimi i postit politik s’ është në papajtueshmëri me Kushtetutën e vendit. Njëkohësisht është sqaruar se u.d. i Presidentit mund të ushtrojë edhe pozita partiake, meqë në atë pozicion, pra si U.D. i Presidentit është vetëm përkohësisht. (Bashkëngjitur vendimi: https://gjk-ks.org/ëp-content/uploads/vendimet/ko_97_10_shq.pdf)

Pra, nga aspekti juridik, u.d. e Presidentes, e njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani – Sadriu, ka të drejtë të ushtroj mandatin e saj në Kuvend, e njëkohësisht të ushtroj pozitën e Presidentes së vendit me kompetenca të plota kushtetuese. Për më tepër, sipas aktgjykimit të gjykatës kushtetuese asaj i lejohet të mbajë edhe pozita partiake. Duke u bazuar ne këtë interpretim U.D. Presidenti i atëhershëm, z. Krasniqi, pat garuar në zgjedhje duke mbajtur njëkohësisht edhe pozita politike edhe partiake. Pra, aktgjykimi ka sqaruar se kufizimet që vlejnë për një President të zgjedhur, sa i përket aktivitetit politik e partiak, s’ vlejnë për U.D. të Presidentit.

Siç shihet nga faktet e sipërme, çështja në aspektin kushtetues është krejtësisht e qartë, ndaj fushatat e tilla vetëm sa krijojnë konfuzion dhe nxisin polarizim në jetën politike të vendit.
U.d. Presidentja Osmani në këtë detyrë është përkohësisht dhe do të kryej detyrat e saj në përputhje të plotë me kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese.



Related posts