Vuçiq “ka dëshmi” për të zgjidhur vrasjen e vëllezërve Bytyqi


loading...

Familja e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi, të cilët u vranë në Serbi në vitin 1999, tha se beson se autoritetet e Beogradit mund t’i nxjerrin vrasësit para drejtësisë, por se ata s’ kanë vullnetin për ta bërë këtë.

 

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç “ka prova dhe mundësinë” për të kapur vrasësit e tre vëllezërve Bytyqi, por “e vetmja gjë që i mungon atij është vullneti për ta bërë këtë”, tha familja Bytyqi në një deklaratë për të shënuar 21-vjetorin e këtij krimi.

Tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare, shkuan për të luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave të Beogradit në vitin 1999, por u arrestuan nga policia serbe pas përfundimit të luftës kurse kaluan një vijë kufitare të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës.

Pasi vuajtën dënimet për kalim të paligjshëm të kufirit, ata u arrestuan përsëri kurse po largoheshin nga burgu i qarkut në qytetin Prokuplje në jug të Serbisë, u dërguan në një qendër stërvitore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një depo atje.

Ata më pas u çuan në një gropë mbeturinash, ku u ekzekutuan me plumb pas qafe më 9 korrik 1999.

BIRN raportoi në vitin 2015 se provat e mbledhura nga hetuesit serbë, FBI-ja dhe avokatët e familjes Bytyqi sugjeronin se autorët e dyshuar të këtij krimi kanë vite që dihen nga autoritetet në Beograd.

Familja Bytyqi beson se Goran Radosavljeviç, i njohur ndryshe si Guri, ish-komandanti i një njësie speciale të policisë dhe i qendrës stërvitore në Petrovo Selo, është i dyshuari kryesor në këtë rast.

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi kufizime udhëtimi për Radosavljeviçin në dhjetor 2018 për shkak të rolit të tij të dyshuar në shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë.

Radosavljeviç pretendon se ai ishte me pushime gjatë kohës së ndodhën vrasjet dhe mohon çdo shkelje nga ana e tij.

Ai tani është zyrtar i lartë i Partisë Progresive Serbe, partia qeverisëse e Aleksandër Vuçiç.

Në maj të vitit 2019, Vuçiç tha se “s’ ka asnjë provë se kush e kreu vrasjen” e vëllezërve Bytyqi.

Në tetor 2019, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi njëzëri një rezolutë ku u bëri thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë dhe gjykojnë sa më shpejt të jetë e mundur “ata zyrtarë aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës” për vdekjen e vëllezërve.

Në Serbi ka pasur një çështje gjyqësore në lidhje me vrasjet e vëllezërve Bytyqi – anëtarët e njësisë speciale të policisë Sreten Popoviç dhe Milos Stojanoviç u akuzuan për vrasjen e tyre, por u liruan nga akuzat në janar 2013./BalkanInsight



loading...