Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka konfirmuar arritjen në Kosovë të kontingjentit të parë të vaksinave anti-COVID, Astra-Zeneca nga COVAX, duke potencuar se me këtë po arrihet qëllimi, për çfarë Ministria e Shëndetësisë ka punuar muaj të tërë.
Zemaj, me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se sot do të arrijnë 24 mijë vaksinat e para të Astra-Zeneca nga COVAX.
“Përpjekjet tona si shtet, kurrë s’ janë ndalur për të arritur deri te ky qëllim i cili tashmë po realizohet”, ka shkruar Zemaj.
“Që nga muaji korrik 2020, si Ministër i Shëndetësisë dhe Qeveri e Kosovës, bashkë edhe me Komisionin negociues të Kosovës për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19 dhe Grupi punues për definimin e nevojave për vaksinën kundër Covid-19, kemi filluar aktivitetet për të siguruar vaksinën sa më shpejtë në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin me anë të mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër Covid-19”, ka thënë Zemaj.
Më tej, ai ka thënë se “tash po arrihet qëllimi për të cilin kemi punuar me përkushtim me muaj të tërë, në shumë adresa, me shumë përkrahës bashkë me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë”.
“Siç edhe e kemi potencuar, për Republikën e Kosovë, ky rrugëtim ka qenë shumë i vështirë pasi që s’ jemi as pjesë e OBSH-së as e Bashkimit Evropian”.
“Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna janë drejtimi tjetër në të cilin jemi angazhuar si shtet, për sigurimin e vaksinave, por gjithashtu kontaktet të vazhdueshme kemi pasur edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin por edhe me shtetet e Bashkimit Evropian, më ngushtë me Austrinë, nga të cilat pritet përgjigje e shpejtë”, ka shkruar, Zemaj, duke falënderuar qytetarët për durimin që kanë pasur deri më tani, transmeton Telegrafi.
Në Kosovë, të dielën më 28 mars, do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.
Kontingjenti i parë i vaksinave, sipas një njoftimi të kryeministrisë së Kosovës, do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” në ora 20:15.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.