Zyra e Thaçit reagon sërish kundër diskutimit rreth Asociacionit në Bruksel

loading...

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar sërish kundër  diskutimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Bruksel.

Presidenca ka theksuar se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

“Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. andaj, askush s’ ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë”, thuhet në deklaratë.

Zyra e Presidentit tutje ka theksuar se Kosova s’ mund dhe me asnjë çmim kurrë s’ do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës.

“Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tone”, thuhet tutje në reagim.

Zyra e Thaçit ka theksuar se Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit.

“Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, përfundon deklarata.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të martën tha se Asociacioni është kthim prapa për Kosovën dhe agjendë e Serbisë.

“Qoftë për asociacion, qoftë për komuna apo çështje tjera janë që janë diskutuar dy tri herë, për mua është kthim prapa për Kosovën. Është agjendë e Serbisë që procesin e drejton drejtë një degjenerimi të plotë dhe tendencës të dobësimit  të Kosovës”, tha Thaçi në një konferencë për media.

ndërsa, kryeminstri Avdullah Hoti para disa ditësh gjatë një debati në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian kishte thënë se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në raundin e fundit të diskutimeve me Serbinë në Bruksel janë hapur dy çështje kryesore: çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe pretendimet financiare në mes të të dyja vendeve. Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne s’ po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje tjera”, kishte thënë ai.

ndërsa, të mërkurën kreu i qeverisë  kosovare, duke iu referuar marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, tha  se “s’ ka Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë”.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, s’ është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 s’ është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.



loading...